12 April 2018 / 15:02
“Në vilën qeveritare në Ohër kryediplomati maqedonas dhe ai grek, Nikolla Dimitrov e Nikos Kocias negociuan rreth çështjes së emrit. Ashtu siç theksuan vetë ministrat, është diskutuar hapur dhe sinqerisht për të gjitha dallimet, me ç’rast për një pjesë prej tyre është arritur progres. Megjithatë mbeten akoma çështje të vështira për t’u zgjidhur.
Dimitrov tha se për herë të parë është diskutuar për kornizën kohore të implementimit të marrëveshjes eventuale.
Për herë të parë folëm për kornizën kohore dhe hapat se si do të duket zgjidhja nëse arrihet. Biseduam me mirëkuptim të madh për nevojat e njëri-tjetrit. Sfida më e madhe është si t’i kombinojmë nevojat e dy palëve – deklaroi Nikolla Dimitrov.
Ndërkaq Kocias theksoi se është bërë hap pozitiv drejt zgjidhjes së problemeve të së kaluarës.
Sa afromi drejt zgjidhjes, pakësohen temat që duhet zgjidhur, por mbeten më të vështirat. Bëmë hapin pozitiv që duhej bërë sot dhe shpresojmë problemet më të vështira t’i bëjmë më të lehta – tha Nikos Kocias.
Mënjanimi i irredentizmit nga të dyja palët mbetet sfidë kryesore për tu kapërcyer.
Paralelisht me takimin Dimitrov-Kocias u takuan edhe grupet e punës, të cilat harmonizuan tekstin për bashkëpunimin e ardhshëm. Negociatat do të vazhdojnë në nivel ministrash më 3 dhe 4 maj në Selanik.


