Deputeti i betuar i Aleancës, Besnik Tahiri, deklaroi se zhvillimet e fundit politike kanë thelluar ngërçin institucional, ndërsa ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë angazhimi në arritjen e një dakordimi politik, përcjell Gazeta Metro.
Tahiri tha se deri më tani nuk është vërejtur asnjë iniciativë konkrete që do t’i hapte rrugë tejkalimit të bllokadës politike.
“Nyja e problemit nuk është as Kuvendi, as konstituimi i Kuvendit e as Qeveria, por në fakt është presidenti”, tha Tahiri.
Sipas tij, mënyra se si po menaxhohet situata nga kreu i ekzekutivit në detyrë po e mban Kosovën të përfshirë në një krizë të rëndë politike. Deputeti i Aleancës theksoi gjithashtu se subjekti i tij politik ka paraqitur një propozim të përbërë nga gjashtë pika, me synimin për të lehtësuar konstituimin e institucioneve, duke nënvizuar se kjo është bërë pa vendosur kushte dhe pa kërkuar marrëveshje politike.
“Kjo që ka ndodhur sot është pa asnjë dyshim një kaos politik, një kaos që e ka sjellë Kosovën në buzë të greminës. Ne kemi fuqinë. Fuqia jonë me këto shtatë vota ka qenë shumë gjeneroze. Ne ju kemi ofruar ndihmesës së konstituimit të institucioneve”, deklaroi ai./gazetametro.net



