Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi,i cili u arrestua dje, ka lidhje direkte me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.
Tahiri tha se kjo është hera e parë që KEK-u drejtohet nga një anëtar i ndonjë partie politike.
“E kemi pa një tëndencë të vazhdueshme të Qeverisë, për të mbrojtë një person jashtëzakonisht të fuqishëm edhe në kuadër të komisionit e kemi pa fuqinë e tij politike dhe atij nuk i bënte përshtypje fare as Zyra e Rregullatorit të Energjisë, as ministrja e Energjisë, as debatet parlamentare sepse kishte një lidhje direkte me kryeministrin Kurti dhe ndjente një siguri të fuqishme, pikërisht në abuzimet që i bënte në vazhdimësi dhe kur ne i thonim se si vepron një kryeshef i KEK-ut në kundërshtim me zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, ai thoshte kështu jam unë, janë rregullat që i përcaktoj unë sepse unë e drejtoj KEK”, deklaroi Tahiri.
Më pas, ai tha se Krasniqi është vegël e ambasadorit Martin Berishaj dhe kryeministrit Kurti.
”Ajo që është kupola e krejt kësaj e ka një emër, është Martin Berishaj, i cili ka menaxhu me tendera njëburimore. Z.Krasniqi është vegël e Albin Kurtit dhe Martin Berishës në këtë proces, i cili është shkëputë nga ky zingjir që do të jetë e pamundshme që të lidhet dhe të vazhdojë ky abuzim”, tha ai.
Shefi i deputetëve të PDK-së, theksoi se ata nuk do të qëndrojnë më në seancë sot, meqë nuk kaloi mocioni i tyre për raportim të ministres së Energjisë, Artane Rizvanolli.
“Nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në seancë, sepse është e pakuptimtë, kur na mohohet një debat parlamentar për arrestimet e djeshme”, përfundoi ai./Arbresh.info



