09 August
Anglezë “në të zezë” u kanë shitur bileta disa ukrainasve, një shtetasi serb, një shtetasi rus, një taksist e ka grabitur një fans të Mançesterit, ndërkaq një punonjës në Agjencinë për kundërzbulim i cili ka qenë në gjende të alkoolizuar është fjalosur dhe shtyrë me polic të cilët e kanë siguruar ndeshjen. Këto janë incidentet nga regjistri i policisë të lidhura me ndeshjen e mbrëmshme të Super Kupës Evropiane. Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski informoi se sot në shtabin operativ ka qenë i kyçur edhe drejtori i byrosë për siguri publike dhe disa shefa tjerë policor.
Vlerësimin që sot në mëngjes e mora nga shtabi është se në ditët para organizimit të ndeshjes dhe gjatë ditës së ndeshjes, siguria e qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve nuk ka qenë e rrezikuar dhe nuk janë regjistruar prishje më serioze të rendit dhe qetësisë publike. Janë arrestuar 14 persona prej të cilëve 6 shtetas të huaj dhe 8 të tjerë, shtetas të Maqedonisë – deklaroi Oliver Spasovski, ministër i brendshëm.
Pjesa më e madhe e rasteve të të arrestuarve janë të ndërlidhura me shitjen jolegale të biletave për Super Kupën. Për veprën “tregti të paligjshme” kallëzime penale janë ngritur kundër 2 shtetasve anglez, një serbi dhe dy banorëve të Tetovës. Të gjithë mund të sanksionohen me dënime me burg ose me para. Biletat çmimi i të cilave ka lëvizur prej 15 deri në 38 euro, mbrëmë në “tregun e zi” janë ofruar edhe për 250 euro. Incident në stadiumin e Shkupit ka shkaktuar edhe një 26 vjeçar i punësuar në Agjencinë për kundërzbulim i cili ka qenë nën ndikimin e alkoolit. Është fjalosur dhe shtyrë me polic për shkak të kohëzgjatjes së kontrollit rutinor gjatë hyrjes në stadium. Edhe pse ka kundërshtuar, policët kanë arritur ta arrestojnë dhe e kanë dërguar në stacion policor. Ndërkaq një britanik 59 vjeçar në polici ka denoncuar se është grabitur nga një taksist i cili me dhunë i ka marrë 400 euro dhe një zinxhir të arrit. As ekipet mjekësore mbrëmë nuk kanë pasur shumë punë, gjë që është jo e zakonshme për ngjarje të këtilla. Askush nuk e ka tepruar me alkoolin që pastaj të përfundojë në klinikën e toksikologjisë. Në ndihmën e shpejtë nuk janë regjistruar kolapse, kurse vetëm një shtetas i huaj është dërguar në spital me frakturë në dorë. Spektaklin sportiv në Shkup e kanë siguruar 2600 polic të cilët kanë qenë të shpërndarë në stadium dhe në fan zonat.
Mirko Tajkovski

