E ardhmja e Armando Brojës vazhdon të jetë e paqartë, pasi sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë duket se nuk do të vazhdojë karrierën e tij te Çellsi. Por pas një pjese të dytë sezoni ku gjërat nuk shkuan si shpresonte te Fullhemi, tani situata e sulmuesit është edhe më e komplikuar pasi Çellsi kërkon një vlerë të lartë për kartonin e tij, që klubet nuk janë të gatshme ta paguajnë.
Zgjidhja mund të vijë nga klube të cilat kanë para mjaftueshëm për të investuar dhe duan me çdo kusht të përforcojnë çdo repart për sezonin e ri.
I tillë është Ipsuiçi i kthyer pas shumë kohësh në elitën e futbollit anglez, i cili raportohet nga mediat britanike se po shfaq interes për Brojën. Trajneri Kiran MekKena, një nga emrat e rinjtë që po ndiqet me shumë interes edhe nga klubet e mëdha në Premier Ligë, kërkon një sulmues zone dhe emrat e Brojës dhe Nketiah janë ato që kanë qarkulluar së fundmi në ambientet pranë klubit.
Por duhet parë nëse ky interes do të konkretizohet në një ofertë për futbollistin e kombëtares shqiptare i cili kërkon një skuadër që t’i besojë dhe ku të ringjallë karrierën që ka marrë goditje në këto dy vite të fundit prej dëmtimit dhe mosaktivizimit të rregullt.