Jo rrallëherë zyrtarët në institucionet shtetërore janë cak i kanosjeve e sulmeve verbale, incidente këto që lidhen kryesisht me punën e tyre dhe vendimet që merren. Këto raste shpesh kanë ndodhur edhe në nivelin lokal, ku kryetarët e komunave apo edhe zyrtarë të tjerë janë përballur me situata të tilla.
Kështu po dyshohet se ka ndodhur të hënën në Dragash.
Media ka mësuar se viktimë në këtë rast është drejtori i Administratës, Vetim Ramadani, i cili e ka denoncuar një qytetar për sulm dhe kanosje.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari fillimisht i është vërsulur Ramadanit, duke e sulmuar fizikisht e më pas e ka kërcënuar, pas një konflikti verbal.
Mosmarrëveshja mes tyre dyshohet se lidhet me disa punësime familjare, që u bënë mollë sherri mes palëve.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari ndër të tjera i është drejtuar viktimës me fjalët “Kur takohemi jashtë, e di di çka boj me ty…zhag të ngrehi”.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarit
I njëjti është arrestuar e shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.