Gjyqi ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj shprehet se gjyqi ndaj tij duhet të bëhet i hapur për publikun pasi nuk ka asnjë sekret, teksa pretendoi se dosja nuk ka prova por aludime.
Plarent Ndreca deklaroi në emisionin “Kjo Javë” në Neës24 se Veliaj po mbahet i izoluar në qeli prej 15 muajsh me qëllimin që të mos shkojë në zyrë për të ushtruar detyrën e tij.
“Gjyqi bëhet me palë dhe në sy të opinionit publik që të dëgjojë edhe opinioni publik dhe të shohë se ka drejtësi. Çdo deklarues ka bërë deklaratë me vullnet të tij në prokurori, nuk ka asnjë problem dhe asnjë sekret. Duket se kjo është strategji e Prokurorisë. Masa e sigurisë është caktuar për këtë proces, dosja 27 dhe prej 15 muajsh nuk ka ende një proces dhe masa është ende në fuqi edhe pas kaq kohësh, kur masa duhet të verifikohet çdo dy muaj. Prokuroria është në detyrën e saj të bëjë hetime ku të dojë”, tha ai mes të tjerash.
Më tej ai komentoi se pretendimi i SPAK se Veliaj rrezikon provat dhe hetimin nuk qëndron dhe se ky argument nxirrej me qëllimin që kryebashkiaku të mos e ushtronte detyrën e tij në të cilën Kushtetuesja e ka kthyer prej muajsh me vendimin që ka marrë.
“Qëllimi është jo për të mos e lënë të lirë zotin Erion Veliaj, por që të mos shkojë në zyrë, të mos ushtrojë detyrën. Nuk e di arsyen por e thënë me formulim është se sipas prokurorit kemi rrezik për hetimin penal dhe kjo është jo vetëm absurde por edhe një kundravajtje ligjore, bazuar edhe në konventat për të drejtat e njeriut”, vijoi Ndreca.
Avokati tha se nuk dihet se kush është personi që e ka kallëzuar, që nuk ekziston si individ fizik dhe se dosja nuk ka asnjë provë.
“Nuk ka asnjë provë, janë të gjitha aludime dhe lidhje artificiale. Argumentet pse duhet të qëndrojë zoti Veliaj në burg janë absurde, nuk qëndrojnë. E drejta për t’u shprehur është kthyer në koston dhe argumentin që zoti Veliaj të qëndrojë në burg. Akoma sot nuk kemi përgjigje nga prokuroria se si ka hyrë kallëzimi në Prokurori, kemi çuar edhe shkresë zyrtare dhe sot e kësaj dite nuk kemi përgjigje” tha ai.
Ndreca theksoi gjithashtu edhe faktin se Veliaj ishte i vetmi zyrtar të cilit i është bërë vetting penal. Ndaj këmbënguli që gjyqi të ishte i hapur për publikun, ku palët të shpreheshin dhe qytetarët të dëgjonin.
“Zoti Veliaj është i vetmi zyrtar në historinë e Shqipërisë që i është bërë vetting penal, asnjë tjetër më parë nuk i është bërë, as zyrtar, as prokuror, as gjyqtar, pra i është bërë edhe me dokumentacion, edhe me përgjime, edhe me kontroll banese e financiar”.
Ndreca hodhi poshtë edhe pretendimet e organit të akuzës se Veliaj ka intimiduar hetuesit, veprim që ka rënduar edhe pozitën e tij penale gjatë masës së sigurisë në GJKKO.
Avokati foli edhe për gjendjen e kryebashkiakut në qeli apo shqetësimet e tij.
“Kemi një ritual të zakonshëm avokat-klient, Zoti Veliaj nuk ka asnjë shqetësim shëndetësor. Bëjmë takimet tona sipas procedurave për çështjen dhe përgatitjen për procesin”, tha ai mes të tjerash.


