02 October
Policia në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara tha se mbi 50 vetë janë vrarë dhe mbi 200 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Personi i armatosur, i identifikuar si Stephen Paddock, 64 vjeç, nga kati i 32-të i Hotelit Mandalay Bay, ka hapur zjarr drejt një festivali të muzikës që po mbahej në afërsi . Policia tha se i dyshuari, banor vendas, është qëlluar dhe vrarë nga oficerët. Policia po ashtu tha se është vënë në kërkim të një gruaje, të identifikuar si Marilou Danley, e cila besohet se ka udhëtuar me të dyshuarin.Megjithatë, sherifi Joe Lombardo tha se policia beson se sulmuesi ka qenë nga të ashtuquajturit “ujq të vetmuar”, që do të thotë individë të frymëzuar nga ideologjia ekstremiste, por që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me grupe të njohura terroriste. Lombardo tha se nuk mund të japë me saktësi numrin e të vrarëve dhe të plagosurve, por konfirmoi se dy oficerë jashtë detyrës janë në mesin e të vrarëve. Videot e postuara në mediat sociale tregojnë turma njerëzish duke ikur nga vendi i ngjarjes, derisa dëgjohet zhurma e armës automatike.
Dëshmitarët rrëfejnë momentet trishtuese dhe tentimet e tyre për t’iu ikur plumbave.
“Ne ishim në festivalin Route 91, ishim duke shikuar Jason Aldean në fund të skenës,kur motra ime dhe unë dëgjuam atë që dukej si një shishe e thyer ose duke rënë në tokë, dhe disa sekonda më vonë dëgjuam krisma , në fillim menduam se janë fishekzjarrë dhe filloi përsëri dhe ne e kuptuam se nuk bëhej fjalë për fishekzjarrë. Të gjithë u ulën në tokë, mendoj se dikush është qëlluar, dikush është lënduar në atë anë, dhe të shtënat filluan përsëri”, u shpreh një qytetar.
Një zëdhënëse e spitalit tha se shumë të plagosur janë në gjendje kritike. Shumë hotele pranë vendit të incidentit në Las Vegas mbeten të mbyllura. Disa fluturime u devijuan po ashtu. Festivali i muzikës ishte duke u zhvilluar që nga e premtja, pranë disa hoteleve në shiritin e Las Vegasit. Nevada, shteti ku ka ndodhur sulmi, ka disa nga ligjet më të buta të armëve në SHBA. Njerëzit lejohen të bartin armë dhe nuk duhet ta regjistrojnë veten si posedues të tyre. Kontrollet e historikut bëhen kur njerëzit i blejnë armët, por ata gjithashtu lejohen t’i shesin ato privatisht.

