Sekretari i Ushtrisë së SHBA-së, Dan Driscoll, zhvilloi takime me zyrtarë rusë në Abu Dhabi të hënën mbi një plan të propozuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i tha një zyrtar amerikan CNN-it.
Driscoll do t’i vazhdojë takimet edhe të martën, tha zyrtari. Nuk është e qartë kush bën pjesë në delegacionin rus, por Driscoll është anëtari më i lartë i delegacionit amerikan, përveç diplomatëve, tha zyrtari.
Takimet synojnë të krijojnë bazën për angazhime në nivel më të lartë në të ardhmen, shtoi ai, duke theksuar se delegacioni rus po merr pjesë me aprovimin e presidentit Vladimir Putin.
Takimet e Driscoll-it me zyrtarët rusë vijnë pas ditëve të diplomacisë intensive në Gjenevë, Zvicër, ku zyrtarë amerikanë dhe ukrainas negociuan mbi një propozim me 28 pika, që Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se ishte hartuar nga SHBA-ja me kontribut të Rusisë dhe Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të hënën se propozimi i ri tani përmban “më pak pika se 28, dhe shumë konsiderata të rëndësishme janë marrë parasysh në këtë kornizë.”
Delegacioni ukrainas u rikthye në shtëpi nga Gjeneva dhe “raportoi mbi draftin e ri të hapave,” tha Zelensky. “Kjo është vërtet qasja e duhur. Do të diskutoj çështjet e ndjeshme me presidentin Trump.”
Kremlini nuk ka dhënë shumë detaje mbi planin amerikan, por Putin ka thënë se propozimi i SHBA-së “në parim, mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje përfundimtare paqeje.” Ai shtoi se versioni i planit që ka parë Rusia është “në përputhje me diskutimet” në samitin SHBA-Rusi në Alaskë më herët këtë vit, por nuk është e qartë nëse ai version ka mbetur i pandryshuar pas ditëve të takimeve mes SHBA-së dhe Ukrainës.
E përfaqësuesi republikan i SHBA-së, Don Bacon, po flet kundër planit të paqes të presidentit Donald Trump për Ukrainën, duke thënë se ai nënkupton dorëzimin e Ukrainës ndaj Rusisë.
Ndërsa një person u vra dhe shtatë të tjerë u plagosën në sulmet e Rusisë në Kiev gjatë natës së kaluar deri të martën, njoftoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës në Telegram.
Sulmi rus ndaj kryeqytetit synoi ndërtesa banimi në të gjithë qytetin, thuhej në deklaratë.
Një ndërtesë nëntëkatëshe u godit nga mbeturinat në distriktin Dnipro të Kievit, duke shkaktuar zjarr në katin e 6-të dhe të 7-të. Një person u vra dhe të paktën 17 persona duhej të shpëtoheshin nga ndërtesa, përfshirë tre fëmijë, tha shërbimi i emergjencës.


