Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nisur procedurë penale ndaj tre persona të moshës 35, 50 dhe 43 vjeç për veprën penale dhunë, sipas nenit 386, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Për të njëjtin rast, sipas Ligjit për drejtësi për fëmijët, do të ngrihet procedurë edhe ndaj një 17-vjeçari në konflikt me ligjin.
Ngjarja ndodhi më 30 prill në orët e mbrëmjes, para një kazinoje në Draçevë, ku të dyshuarit, në grup, sulmuan dhe rrahën një punonjës të kazinosë, duke shkaktuar ndjenjë pasigurie, frikë dhe kërcënim te kalimtarët dhe publiku.
Incidenti ndodhi kur i mituri kërkoi të hynte në kazino, por punonjësi nuk e lejoi. I mituri kërcënoi dhe telefonoi tre të dyshuarit e tjerë, të cilët erdhën me dy makina para kazinosë. Fillimisht, ata e kërcënuan punonjësin që ta lejonte të miturin të hynte ose përndryshe do t’ia digjnin kazinonë. Kur ai refuzoi, ata e rrethuan dhe e goditën me grushta, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Njëri nga të dyshuarit nxori një shkop druri nga makina dhe filloi të godiste në drejtim të viktimës, i cili u tërhoq drejt hyrjes së kazinosë. Kalimtarë të rastësishëm arritën të ndalonin dhunën, por ngjarja ka lënë pasoja psikologjike te viktima dhe ka shkaktuar shqetësim te publiku.
Prokurori kompetent ka dorëzuar propozim në Gjykatë për masa kujdesi ndaj të dyshuarve, të cilat përfshijnë: ndalim për të lënë vendbanimin, detyrim për paraqitje periodike tek autoritetet, dhe heqje të pasaportave.