Sulejman Osmani, i akuzuar për luftimet në Lagjen e Trimave, i cili po gjykohet ndaras nga grupi tjetër, pohon se incidenti është inskenuar nga vet aparati i shtetit. Ai nuk tregoi emra konkret të funksionarëve, por i quane me emër të koduar “Mësitët”, për të cilët tha se i kanë organizuar edhe rrethanat për të bërë sulmin në Gushincë, por edhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Ai përmendi vetëm një emër, që tha se është “mësit”, Sadull Duraku kryetar i Komunës së Likovës, “Filluam të dyshojmë se diçka nuk është në rregull dhe kërkova të shkojmë në Likovë e jo në Kumanovë, sepse Duraku ishte mësit bashkë disa të tjerë”, ka thënë Osmani, në gjykatë.
Ai tha se ka qenë i angazhuar për ta ruajtur armatimin e marrë në Gushincë, por se gjërat ishin komplikuar dhe më pas kishin marrë armatim tjetër nga Kosova.
Osmani përmendi faktin se persona nga Maqedonia i kishin pritur dhe ua kishin organizuar lëvizjen dhe u kishin garantuar se ata i kanë të sigurt ushqimin, vendosjen, naftën e makinave, cigaret dhe gjithaçka që kanë nevojë. Ai konfirmoi një detaj që është thënë edhe në seancat tjera se si kamuflim për transportim është përdorur një makinë e ndihmës së shpejtë.
“Begu dhe Mirsadi na thonin flini të qetë. Nuk ka nevojë për panikë, puna është e garantuar. Edhe kur nisën krismat, ata na thonin rrini të qetë se policia mund të vijë të bëjë ndonjë kontrollë por do të kthehen sërish”, ka treguar Osmani.
Ferikan Iljazi Arifi

