Mungesa e infrastrukturës, kanalizimit dhe ujësjellësit janë tre problemet kryesore me të cilat për vite të tëra ballafaqohen banorët e komunës së Sarajit. Në emisionin debativ “Studio e hapur”kandidatët për kryetarë komune shplasën platformat e tyre dhe premtuan realizimin e disa projekteve. Edhe në këtë debat, njëjtë me të kaluarat, mungoi kandidati i BDI-së, Blerim Bexheti, të cilit iu parashtruan pyetjet publikisht. Kandidati i Aleancës për shqiptarët, Ekrem Alia tha seprojekti i tij i parë nëse merr mbështetjen e qytetarëve do të jetë rregullimi i rrugëve, ndërsa më pas do të bëjë bashkimin e fshatrave Fshatrat Svetapetkë dhe Çiflikë.
EKREM ALIJA, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Për shkak të rrugës ata janë të ndarë nga komuna e Sarajit dhe detyrohen të shkojnë në pjesën e maqedonasve. Kështu që ajo është një projekt që e kam në atë kuptimin top projekt dhe projekti numër tre është ura në fshatin e Llokës, që të gjithë banorët e Llokës detyrohen të qarkullojnë 7 deri në 8 kilometra për në fushën e tyre të punojnë ndërsa ajo urë që e kanë mbaruar vet ato banorët e Llokës është prej dërrasave dhe që është më e keqja rrezikimi më i madh se nxënësit kalojnë nëpër atë urë”, tha Alija në “Studio e hapur”.
Ndërsa kandadati i PDSH-së, Sefedin Aliu tha se do të sjellin dy investitorë nga Turqia që kanë buxhet sa tërë shteti i Maqedonisë
SEFEDIN ALIU, PDSH
“Dhe projekti numër tre, atë që e thash dhe kam dëshirë të realizohet është rritja e bazës ekonomike në komunë. Nëse do të ja arrijë, dhe do të ja arrij me lejen e Zotit ti sjell ato dy ndërmarrje të njerëzve tonë që punojnë në Turqi, të cilët kanë buxhet sa krejt Maqedonia vetëm ato dyja, do të ju qëndrojë në mënyrë administrative në rrafshin lokal sipas ligjit një euro metër katror që e jep edhe shteti”.
Kandidati i Lëvizjes BESA, Bashkim Bakiu premtoi revitalizim të Liqenit Treska dhe sjellje të investitorëve në Komunën e Sarajit .
BASHKIM BAKIU, LËVIZJA BESA
“Projekti i parë ka të bëjë me zhvillimin ekonomik. Çfarë do të bëjmë ne, do të bëhemi partner të biznesit edhe bizneseve të mëdhaja edhe të bizneseve të vogla, do të bëjmë edhe përkrahjen e fermerëve për thithjen e fondeve IPARD. Kapacitet e mia përvojën time, kontaktet e mia me donatorë të ndryshëm do t’i vë në shërbim të Komunës së Sarajit me të vetmin qëllim që të thithen fonde edhe për bizneset e vogla edhe për bizneset e mesme që të qarkullojnë zhvillim. Në kuadër të Sarajit ekzistojnë kompani që janë në TOP 10 e 100 kompanive më të mëdhaja. Ajo janë në disponim që ti ndihmojnë Komunës”.
Kandidatët e tre partive që në Saraj janë në opozitë, folën edhe për mundësinë e bashkëpunimit mes tyre edhe pas fitores eventuale në komunë.Blerim Bexheti u pyet se pse nuk i ndërtoi shkollën që premtoi për Çajle dhe Semenishtë, poliklinikën në Saraj, çerdhen e fëmijëve dhe disa pyetje të tjera. /SHENJA/

