Banorët e Zhelinës ballafaqohen me problemin e ujit të pijshëm, kanalizimit, mungesës së infrastrukturës. Kështu denoncuan kandidatët për kryetarë të komunës së Zhelinës, Sali Ajdini nga PDSH dhe Blerim Sejdiu nga Lëvizja BESA, në emisionin “Studio e hapur” në TV SHENJA.
Sali Ajdini nga PDSH tha se kandidati i BDI-së për kryetar të komunës, Fatmir Izari, i premton të njëjtat projekte që i ka premtuar edhe në vitin 2009. Sipas tij edhe pak ato projekte që janë realizuar në këtë komunë janë bërë me pjesëmarrje financiare nga ana e banorëve të komunës.
Sali Ajdini, PDSH
“Ai do të thotë se kemi bërë 20 kilometra, 30 kilometra kanalizime, por ato që thotë se ai i ka bërë nëpër vendbanimet Trebosh, Strimnicë, Uzurmicë, Pallatiicë, ato janë bërë me kofinancim të qytetarëve, por mund të them edhe 100 përqind financim të qytetarëve”.
Edhe kandidati i Lëvizjes BESA, Blerim Sejdiu tha se në Zhelinë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit kyçen ato familje që kanë paguar, ndërsa të tjerët diskriminohen.
Blerim Sejdiu, Lëvizja BESA
“600 euro ka kërkuar edhe ende kërkon që çdo familje të jep që të kyçet në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit. Dhe sot e kësaj dite, ata familje që nuk kanë dhënë të holla nuk kanë të drejt të kyçen në rrjetin e ujësjellësit. Kjo është turp nëse dëgjohet në gjithë komunat dhe gjithë shqiptarët ku do që janë”.
Me ardhjen e tij në pushtet, Ajdini tha se do të rregullojnë çështjet të cilat i tangojnë banorët e komunës së Zhelinë.
Sali Ajdini, PDSH
“Do të angazhohemi për mirëqenien sociale të banorëve, mirëqenien ekonomike të komunës dhe do të kujdesemi që komuna ta kthej dinjitetin e vet, respektivisht ajo të jetë servis i qytetarëve dhe jo qytetarët të jenë servis i komunës”.
Ndërkaq Blerim Sejdiu i BESËS tha se ata do të krijojnë kushte që mërgimtarë të investojnë në komunë e Zhelinës, ngase sipas tij, ekziston një vullnet i tillë.
Blerim Sejdiu, Lëvizja BESA
”Çdonjëri mos të them më shumë nga 5 veta të punësojnë do të ishte një zbutje e papunësisë dhe rritje e nivelit të punësimeve. Dhe ky aspekt do ta shfrytëzojmë ngase kemi kontakt reale dhe konkrete. Jo vetëm me këtë por edhe me odën ekonomike të Gjermanisë, edhe në Turqi, Slloveni dhe gjithandej”.
Në emisionin “Studio e hapur” edhe pse ishte i ftuar mungonte kandidati i BDI-së, Famir Izari, të cilit megjithatë ju lexuan pyetjet që ishin planifikuar për t’ia parashtruar, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe kjo pyetje: Si është e mundur një komunë rurale të zhytet në borxh në vlerë prej mbi 500 mijë euro?
Enis Murtezi /SHENJA/

