Studentët shqiptarë të drejtësisë në mjegull, herë u premtohet se provimi i jurisprudencës mund të jepet në gjuhën shqipe e herë jo. Pas deklaratave të ndryshme dhe zotimeve të zyrtarëve të VLEN-it se çështja do të zgjidhet, dje ministri i Drejtësisë Fillkov ua preu shkurt – çështja është mbyllur.
“Mendoj se kjo pyetje është e konsumuar, provimi i jurisprudencës është provim profesional, nuk është çështje administrative, nuk kam çfarë komentoj më shumë për të njëjtin”, tha Igor Fillkov – Ministër i Drejtësisë.
E Mevlan Ademi nga nisma studentore thotë se puna mbyllet kur të respektohet gjuha amtare.
“Kryeministri me 8 shkurt doli dhe tha se Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë dhe tha se nëse studentët kërkojnë që provimi të jepet në gjuhën shqipe do të lejohet, gjithashtu edhe zv/kryesminitri i parë Sali deklaroi se arsyetimet e ministrit të drejtësisë janë të kota, ngjashëm deklaroi edhe zv/kryeministri Fetai, i cili tha se vendimi i Ministrisë së Drejtësisë nuk është i mbështetur juridikisht. Ne shohim se kjo qeveri nuk ka qëndrim të unifikuar dhe as nuk shohim hapa konkretë drejt zgjidhjes se kërkesës sonë. Për dike nëse kjo çështje ka mbaruar, për ne do të përfundojë në momentin kur do të respektohet ligji dhe gjuha jonë amtare”, u shpreh Mevlan Ademi – Nisma Studentore.
Edhe sot kërkuam qëndrim nga Qeveria, por nuk morëm.Ndërkohë opozitarja BDI thotë se Fillkovi e barazon gjuhën shqipe me zero, ndërsa i kërkoi VLEN-it që të mos hesht.
“Përpjekja për ta përjashtuar shqipen nga provimi i jurisprudencës, për ta minuar përdorimin e saj dhe për ta trajtuar si çështje të mbyllur, nuk është vetëm shkelje e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por është goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe rendit kushtetues të vendit. Gjuha shqipe është kategori kushtetuese, është kategori ligjore, e drejtë e fituar me sakrificë dhe themel i barazisë mbi të cilën qëndron shteti multietnik. Çdo tentativë për ta zbehur apo për ta përjashtuar atë përbën kthim prapa”, thonë nga BDI.
Nga nisma studentore paralajmërojnë përshkallëzim të situatës, por pa dhënë hollësi se çfarë do të ndërmarrin. Na thanë se nesër do të marrin vendim për hapat e mëtejmë.


