Alsat 2020-04-20T16:09:20+02:00
Banorët e komunës së Studeniçanit refuzojnë të paguajnë një shumë të caktuar për mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese në qytetin e Shkupit. Kjo shumë caktohet nga shuma e përgjithshme e faturave të reja për ujësjellës dhe kanalizim që tashmë disa muaj kanë filluar ti shpërndahen konsumatorëve. Banorët, vlerësojnë se kjo është e padrejtë ndaj tyre sepse komuna e Studeniçanit është komunë rurale dhe jashtë qytetit të Shkupit.
“Unë skam park, kam shtëpi edhe jetoj, kam pusin tim, kam ujin tim, nuk duhet të paguaj. Kurrë, hiç, nuk do të paguaj, le të vjen fatura sa të dojë, unë para nuk jap. 26 mijë denarë më ka ardhur, 4 mijë denarë parqe dhe gjelbërime. Fatura e ujit 26 mijë denarë, ku mundem unë me pagu, as në Francë me punu unë s’mund ta paguaj”.
“Duhet të paguash se ta mer shteti se ski ku të ankohesh. Nuk është në rregull aspak ajo, nuk ke ku të ankohesh, ski shtet, kryesorja nuk ki shtet”.
Përveç kësaj, banorët ankohen se në këtë komunë për dy vjet radhazi nuk ka qenë asnjë inkasant. Madje, ata thonë se është ndërmarrja publike komunale ajo e cila kujdeset për çdo aktivitet pastrimi në fshatrat e Studeniçanit.
“Ata kanë vendos përqindjen e tyre sa marrin, dikush 19 ose 15. Shumë i kanë ngarku qytetarët edhe për shkak të asaj tash i kanë lënë edhe faturat nuk i paguajnë rregullisht. Dy vjet e dinë shumë mirë nga ujësjellësi, nuk ka pas inkasator këtu te ne, s’kan marrë rregullisht faturat e janë ngarku shumë qytetarët”.
“Unë kisha një kërkesë për ujin, erdhën ato, e panë dhe thanë se nuk punon ora e ujit. Unë bëra kërkesën që të vijnë ta ndërrojnë, dy muaj e gjysmë nuk vijnë ta ndërrojnë e as ta kqyrin. Tre vjet që e kam vënduar e nuk ka ardhur me pa kërkush, a faturat vijnë gjithmonë për me i bë pagesat”.
Nga Komuna e Studeniçanit thanë se tashmë disa herë i janë drejtuar institucioneve përkatëse për këtë problematikë.
Komuna e Studeniçanit është komunë e pavarur, jashtë qytetit të Shkupit dhe nuk mund të faturohet për këtë lloj kompensim pasi këtë punë e kryen vet komuna e Studeniçanit nëpërmjet Ndërmarrjes publike komunale Studeniçani”-tha Burhanedin Nuhiju, sekretar i komunës Studeniçanit.
Nga “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” thonë se të gjithë shfrytëzuesit e sistemit të ujësjellësit të kyçur në NP. Ujësjellës dhe kanalizim-Shkup do të pranojnë fatura me përfshirjen e vendimeve të marra nga Këshilli i Qytetit të Shkupit dhe Komisioni Rregullator për Energjetikë. Nga NP Ujësjellës dhe kanalizim-Shkup thonë se nuk kanë kompetenca për të ndërhyrë në dispozitat për tarifat ndaj shfrytëzuesve. Alsat mëson se megjithatë institucionet kompetente do të shqyrtojnë kërkesën e banorëve të Studenicanit por edhe e komunave tjera që nuk janë pjesë e Shkupit, por që paguajnë fatura për mirëmbajtjen e hapësirave jashtë komunave të tyre.
Melihate Rustemi
Loading…




