Gjykata Themelore në Strugë ia ktheu pasaportën biznesmenit Borçe Markovski, i akuzuar për keqpërdorime me prokurimet publike në REK “Manastir”, transmeton Portalb.mk.
Informacionin e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës Themelore në Strugë, gjyqtari Vullnet Vinca për Nezavisen.
“Pasaporta e të akuzuarit Borçe Markovski i është kthyer me vendim të gjykatës, pasi ka paraqitur garanci në vlerë prej mbi pesë milionë eurosh. Sipas ligjit, nuk mund të merret edhe garanci në pronë dhe të konfiskohet pasaporta. Ose njëra, ose tjetra”, deklaroi Vinca.
Procesi gjyqësor ndaj Markovskit filloi në Gjykatën Themelore në Manastir, për t’u transferuar më pas tërësisht në Gjykatën në Strugë. Fillimi i gjykimit për rastin Markovski është caktuar për 2 shtator të këtij viti.
Biznesmeni nga Manastiri, Borçe Markovski, dhe tetë persona të tjerë po gjykohen për zhvendosjen e stacioneve operative nga miniera “Osllomej” në minierat e REK “Manastir”, një tender me vlerë mbi 1.7 milionë euro. Përveç Markovskit, në bankën e të akuzuarve janë edhe pesë të punësuar në REK “Manastir” dhe dy të punësuar në kompaninë e Markovskit.
Një nga të akuzuarit është edhe ish-drejtori i REK “Manastir”, Pece Matevski, ndaj të cilit tashmë po zhvillohet proces gjyqësor edhe në Gjykatën Themelore në Manastir për rastin e tenderit me kompaninë e Manastirit “Rudkop” Bitola.
Abuzimet në REK Manastir kanë qenë në fokusin e publikut për vite me radhë.



