07 April
Skenarët me incidente ndëretnike përveç pushtetin aktual, për momentin nuk favorizojnë asnjë partie tjetër në Maqedoni. Kështu vlerësojnë ekspertët e sigurisë duke komentuar paraqitjen e shoqatës patriotike “Fronti Nacional Maqedonas”. Sipas profesorit Bashkim Selmanit grupimet e tilla paraqiten në momente të tensionuara siç është situata aktuale politike në Maqedoni, me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga kriza reale.
Elektrizimi i këtyre situatave, Maqedoninë e çon shumë mbrapsht. Këto grupime kanë dy qëllime: njëra për ti frikësuar shqiptarët, dhe e dyta për ta frikësuar LSDM-në. Por LSDM-ja këtu neglizhon, LSDM-ja duhet në mënyrë të drejtë dhe legjitime të gjej forma dhe ta vë në funksion shtetin. Për arsye se asnjëherë shteti nuk i jepet në formë të lehtë dhe të butë siç pretendon LSDM-ja dhe kjo toleranca e tyre në këtë situatë ajo i krijon situatat e këtilla, për arsye se sa më tepër nuk vihet në funksion Kuvendi dhe Qeveria, atëherë akoma më tepër do të kemi anarki – deklaroi eksperti i sigurisë, Bashkim Selmani.
Sipas VlladoDimovskit nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike ka kaluar koha kur politikanët kanë hartuar skenarë të errëta në Maqedoni dhe se qytetarët nuk do të bien pre e provokimeve të pushtetit në largim.
Mendoj se ka kaluar koha e pamfleteve dhe propagandës së tillë, që me metoda të tilla të mundohen partitë qeveritare të mbajnë pushtetin. Ka kaluar ajo kohë dhe nuk kthehet më, së paku sipas mendimit tim, sepse qytetarët e Maqedonisë janë më të vetëdijshëm se sa që ishin në vitin 2001. Sot jemi viti 2017 nuk jemi në vitin 2000 që të bëjmë skenarë të tilla, koha e skenarëve ka kaluar. Mendoj se këto janë vetëm tentime të frikësohet populli. Është punë e rrezikshme mbjellja e frikës në kushte të tilla dhe mund tu kthehet si bumerang atyre që promovojnë këtë – deklaroi eksperti i sigurisë, Vllado Dimovski.
Dimovski njëkohësisht thekson se paraqitjet e iniciativave të tilla dhe zgjatja me javë e seancës konstituive, në fakt janë goditjet e fundit të qeverisë në dorëheqje dhe në këtë periudhë marrëdhëniet ndëretnike janë në bazën më të fortë të mundshme dhe kjo sipas tij, shqetëson udhëheqësin e partive qeveritare BDI – VMRO DPMNE.
Blerim Ismaili