Komuna e Strugës dhe kreu i saj Mendi Qyra do të përballen me gjoba nëse Gjykata në Strugë vendos të pranojë kërkesën e policisë, për të filluar procedurë kundërvajtëse ndaj Qyrës dhe komunës, për shkak të mosvendosjes së flamurit shtetëror në festimet për 28 Nëntorin. Nga gjykata e Strugës thanë për Alsat se kërkesa u ka mbërritur dje dhe nga dita e martë, lënda do t’i jepet gjyqtarit të rastit, i cili do të fillojë procedurat. Ndërkohë komuna e Strugës hesht për procedurën kundërvajtëse. Nga atje thonë se nuk do të prononcohen. E gjithë kjo ndodh pas acarimit të marrëdhënieve midis Mickoskit dhe Qyrës. Kryeministri tha se përmes porosisë SMS shprehu zhgënjim të thellë që flamuri shtetëror nuk u vendos në festime. Pas “qortimit” të kryeministrit Mickoski, kreu i Strugës Mendi Qyra i cili fitoi zgjedhjet edhe me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së mungesën e flamurit e cilësoi si lëshim. Madje u shpreh i bindur se bashkëpunimi me këshilltarët e partisë së Mickoskit do të jetë në nivel. Por situata në Strugë është krejtësisht ndryshe. Marrëdhëniet midis Vmro-së, Qyrës dhe VLEN-it në Strugë nuk janë në nivel. Kjo duket qartë për shkak të faktit se palët nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë marrëveshje për emrin e kryetarit të këshillit për më shumë se një muaj.
“Kur të krijohen kushtet për një shumicë dhe për zgjedhjen e një kryetari, ajo do të realizohet”, tha Mite Stevoski – këshilltar i Vmro Dpmne-së.
Seanca e Këshillit të Komunës së Strugës është caktuar për 10 dhjetor. Ajo u thirr nga anëtari më i vjetër, Nafi Jonuzi, por ndër pikat e rendit të ditës nuk është askund zgjedhja e kreut të këshillit. Nga VMRO-DPMNE thanë për Alsat se nëse kryesimi i këshillit nuk u përket atyre deri më 31 dhjetor, pra deri në afatin ligjor për miratimin e buxhetit komunal, ata do të largohen nga koalicioni me VLENin në nivel lokal. Vlen tashmë ka thënë se tani për tani nuk ka marrëveshje. Megjithatë, burimet thonë se vendimi përfundimtar se si do të veprohet do të merret këto ditë./Alsat.mk


