23 Shtator 2018 / 17:08
Struganët shprehen të dyshimtë ndaj premtimeve të shtetit dhe të komunës, se qyteti do të ketë një spital të ri dhe modern. Objekti ekzistues është në gjendje të keqe para shkatërrimit dhe nuk i plotëson nevojat e më shumë se 70,000 qytetarëve. Ndërsa Struga pret, në qytetin e Ohrit ndërtohet një spital i ri, dhe po investohet edhe në spitalin e ortopedisë dhe traumatologjisë Shën Erasmus. Spitali i Strugës iu ofron shërbime mjekësore çdo vit në më shumë se 10,000 pacientëve nga disa qytete të rajonit, por edhe nga Shqipëria fqinje.
Lus Zotin që të bëhet, por siç e shohim vështirë. Ata premtojnë, premtojnë, por nuk bëjnë asgjë. Ky spital i ka diku 60 vjet. 60 vjet, dhe ende nuk ka fasadë. Është shkatërruar, brenda nuk ka çarçafë për të fjetur, lëre më të bëjnë një të ri”- deklaroi një qytetar.
Sipas informacioneve të Alsat, spitali i ri planifikohet të ndërtohet nëpërmjet partneritetit publiko-privat, në një vendndodhje në dalje nga Struga, në anën e djathtë të rrugës për në Qafë Thanë. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se një investues potencial me leje të qytetit dhe një lehtësim në pjesën e shërbimeve komunale duhet të ndërtojë një objekt, që do t’i përshtatet nevojave dhe kjo në llogari të lëshimit të vendit ku gjendet spitali aktual.
Ka një lokacion në periferi të qytetit, që i përket qytetit dhe që mund të urbanizohet dhe të përgatitet në detaje që të jetë gati për ndërtimin e një spitali. Në këtë moment ne po flasim me partnerët potencial të cilët do të ndërtonin një spital, dhe ku ne më tej do të punonim në shkëmbimin e asaj toke dhe tokës ku ndodhet spitali “- theksoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Nëse ky model nuk realizohet, Filipçe thotë se Ministria është e gatshme të investojë në një spital krejtësisht të ri. Nga komuna janë optimist, se për dy vjet spitali i ri në Strugë mund të bëhet realitet.
Merko thotë se për ndërtimin e spitalit nuk do të paguhen shërbimet komunale ose toka do të jepet falas. Ndër struganët, shpesh parashtrohet pyetja kush do ta marrë këtë biznes dhe cilit do t’i përkasë lokacioni tërheqës ku ndodhet spitali ekzistues, i cili ndodhet në qendër të qytetit dhe që ka vlerë të madhe.
Miki Trajkovski


