Gjykimi për Deponinë e egër të Strugës, e cila ndodhet vetëm 500 metra nga shtëpitë e para, në afërsi të lumit Drini i Zi dhe 2 kilometra larg nga Liqeni i Ohrit, do të mbahet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Strasburgu e pranoi kërkesën për një nga problemet më të mëdha ekologjike dhe shëndetësore në Strugë. Në procedurë kërkohet vërtetimi i shkeljes të të drejtave të qasjes në gjykatë, shkelje të jetës private dhe familjare dhe shkelje të së drejtës për një mjet efektiv juridik, shkruan SDK
“Për dallim nga gjykatat vendase që e shpallën veten jokompetente, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg na informoi se e ka pranuar kërkesën e dorëzuar në lidhje me deponinë e egër në Strugë. Kjo do të thotë që në Strasburg do të diskutohet për një nga problemet më të mëdha ekologjike dhe shëndetësore në Strugë”, thotë avokati Gligorie Qatoski.
Nga Shoqata e Juristëve të Rinj thonë se gjykatat në Maqedoni jo vetëm që nuk treguan kapacitet të mjaftueshëm për të vendosur për çështje kaq të rëndësishme për mbrojtjen e interesit publik të qytetarëve, por edhe e rrëzuan padinë pa arsyetim dhe pa argumente.
“Me këtë problematikë ne u përballëm për herë të parë në vitin 2017 kur kishte djegie të mëdha në deponi, atëkohë si aktivist civil, ndërsa tani si avokat që ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ky është një problem shumë i madh për banorët e Strugës dhe përfaqëson një nga sfidat më të mëdha të qytetit në aspektin e sigurimit të një mjedisi të shëndetshëm jetësor, i cili është një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari të këtij vendi, por edhe në aspektin e mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së njerëzve”, shton Qatoski.
Ai thotë se duhet të ketë përgjegjësi sepse deponia e Strugës tashmë 20 vjet po i helmon qytetarët me mbi 40.000 ton mbeturina në vit, pa asnjë kontroll mbi llojin e mbeturinave dhe është një nga deponitë më të rrezikshme jo standarde, të egra në vend.
“Indiferenca dhe injorimi i problemit me deponinë, ku janë grumbulluar mijëra ton të të gjitha llojeve të mbeturinave, nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar”, thonë juristët e rinj.
Në këtë procedurë të paditur janë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Komuna e Strugës dhe Ndërmarrja Publike “Komunale”-Strugë për mosmarrjen e masave lidhur me deponinë ilegale.
Deponia e Strugës është një nga deponitë më të rrezikshme jo standarde dhe të egra në vend, sepse nuk ka një sistem të vendosur për kontrollin e llojit të mbeturinave që hidhen në të. Deponia që gjendet rreth 500 metra larg shtëpive të para të qytetit, si dhe nga shtrati i lumit Drini i Zi dhe më pak se 2.000 metra në vijë ajrore nga Liqeni i Ohrit, digjet vazhdimisht dhe aroma e tymit ndihet në gjithë qytetin.