Vit i ri dhe kryetar të ri komune, por Struga mbetet me problemet e vjetra. Një nga problemet më të hidhura është mungesa e vendeve për parkim, ndaj secili e parkonnë trotuare, në sipërfaqe të gjelbra, shumë shpesh edhe në vende të destinuara për plazhe.
Kryetari i Komunës, Mendi Qyra, gjatë fushatës zgjedhore paralajmëroi ndërtimin e dy parkingjeve të reja, një në qendër të qytetit, i cili do të ishte në dy nivele, dhe një tjetër në afërsi të plazhit, me kapacitet të përgjithshëm prej 750 vendesh. Ai madje, para zgjedhjeve, premtoi realizim të shpejtë të projektit, për dy deri në tre muaj.
“Kam projekt të gatshëm, me anë të të cilit, përmes një sistemi GPS, qytetarët do të mund të rezervojnë paraprakisht vend parkimi, madje edhe nga fshatrat përreth Strugës. Ky është një projekt që mund të realizohet brenda dy deri në tre muajve pas marrjes së mandatit”, tha Mendi Qyra, kryetar i Komunës së Strugës.
Por, sipas gjendjes aktuale, zgjidhja për momentin është larg realizimit. Kjo shihet edhe në përgjigjen që e morëm nga Komuna e Strugës. Nga atje thonë se ndërtimi i dy parkingjeve mbetet prioritet dhe se aktualisht po punohet në përgatitjen e studimit të fizibilitetit, si hap kyç për një vlerësim real dhe të qëndrueshëm të projektit.
“Në këtë fazë nuk është e mundur të përcaktohen afate të sakta për përfundimin e projektit, pasi ato do të definohen pas finalizimit të studimit të fizibilitetit. Megjithatë, Komuna mbetet e përkushtuar që projekti të zbatohet në mënyrë të planifikuar dhe transparente”, thonë nga Komuna.
Banorët e Strugës kanë mendime të ndara nëse ky projekt do të realizohet.
“Struga është e zbrazët, por shikoni, sot është e mbushur me automjete dhe njerëz. Nëse këta njerëz jetonin këtu, duhet të bëhet. Kjo është e domosdoshme”, tha një banor.
“Ky kryetar komune që është tani është i ri dhe sapo ka marrë detyrën siç duhet, duhet kohë. Është mirë që të bëhet, është mirë që të ndërtohet”, u shpreh një banor.
Ndërsa realizohet premtimi i Qyrës, nga komuna thonë se do të merren masa të përkohshme organizative dhe menaxheriale për përmirësimin e situatës me parkimin deri në realizimin përfundimtar të projektit. Aktualisht, Struga disponon rreth 630 vende parkimi, të hapura dhe të mbyllura. / Alsat.mk


