17 Janar
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg arrin sonte në Shkup për vizitë zyrtare dy ditore. Gjatë kësaj vizite sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg do të takohet me krerët e institucioneve shtetërore dhe me liderët e disa partive politike. Sipas përfaqësuesve të Qeverisë, vizita e Stoltenbergut bart mesazhin se Maqedonia është në interesin strategjik të NATO-s dhe se është evidente politika e “dyerve të hapura”. Dhe jo vetëm.
Në brifing me gazetarët përfaqësuesit e Qeverisë thanë se NATO-ja mbështet përpjekjet e kësaj Qeverie për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë dhe stabilizimin e situatës politike në vend. Ndër tjerash, thanë se me Samitin e Bukureshtit NATO-ja obligohet ta pranojë Maqedoninë brenda saj, menjëherë pasi vendi ta zgjidh çështjen e emrit, madje pa organizuar ndonjë samit të posaçëm të zgjerimit. Ndryshe, gjatë ditës së nesërme Stoltenberg fillimisht do ta takojë Ministrin e Jashtëm, Nikolla Dimitrov. Më pas Presidentin Gjorge Ivanov dhe Ministren e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska. Derisa në mesditë Stoltenberg me fjalim do të paraqitet para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Ndërkohë në takimet e pasdites të cilat do t’i realizoj në hapësirat e Kuvendit Republikan, Stoltenberg do ta takojë kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, më pas liderin e partisë më të madhe opozitare, VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Së fundmi Sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg do ta takojë Kryeministrin, Zoran Zaev në godinën e Qeverisë, pas çka do të mbajnë edhe konferencë të përbashkët për shtyp.
Anesa Salihi

