Kreatorët Kujtim dhe Meri Berisha, i janë bashkuar Lëvizjes Vetëvendosjes.
Lëvizjes Vetëvendosje i janë bashkuar dy stilistët kosovarë, Kujtim dhe Meri Berisha.
Këtë e ka bërë të ditur vet lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Kurti ka shkruar se Kujta dhe Meri janë dy stilistë mjaftë të talentuar në fushën e modës të cilët kanë arritur që të krijojnë dhe markën e tyre “Kujta & Meri”, markë kjo që njihet edhe jashtë Kosovës, përcjell lajmi.net.
Postimi i plotë i Kurtit pa ndërhyrje:
Kujtim dhe Meri Berisha, dy bashkëshortët, dhe stilistët me përvojë profesionale në botën e modës, iu bashkuan Lëvizjes tonë. Kujtimi, qysh në moshë të hershme e përpunoi talentin e tij drejt një firme prodhuese që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në industrinë e modës.
Puna dhe kreativiteti i tij e takuan atë me Merin, po ashtu të talentuar në këtë lëmi, dhe prej atëherë ata i ndërthurën rrugët krijuese drejt sukseseve në fushën e stileve elegante të modës.
Kështu, fjala për markën Kujta & Meri filloi në Kosovë, për të hyrë më pas nëpër institucione të rëndësishme të modës edhe jashtë vendit.
Në vitin 2009, ata morën pjesë në Javën e Modës në Milano, e cila u vlerësua shumë nga mediat italiane duke u siguruar atyre ftesë në prezantimin e koleksionit për gra në Javën e Modës që u mbajt nga Critical Fashion në po atë qytet.
Si rezultat i vlerësimeve, sidomos prej kritikëve të disenjit në këtë industri, ata u ftuan të marrin pjesë po atë vit edhe në Eksposita Houte Couture Art & Galeria në Milano. Në vitin 2014, ata prezantuan fustane në Javën e Modës në Berlin.
Krijimi i Kujtës dhe Merit (K & M) shënon depërtimin e parë të krijuesve shqiptarë nga Kosova në tregun e qendrave botërore të modës si Milano, Romë, Palermo dhe Berlin.
Gjersa Kujta dhe Meri tregojnë arritjet e talentit dhe kreativitetit, këto qendra botërore tregojnë për investimin e shteteve në këtë industri të rëndësishme, miliardëshe, për ekonominë sot. Shteti ynë duhet të ofrojë më shumë mundësi për talentet, krijuesit dhe firmat vendore, në industrinë e tekstilit dhe modës.
Kujta dhe Meri dëshirojnë të kontribuojnë në shoqërinë tonë dhe komunitetin e disenjerëve në Kosovë. /Lajmi.net/



