Tre vite më parë, kur UNHCR filloi fushatën “Kjo është shtëpia jonë”, askush nuk e dinte se sa është numri i saktë i njerëzve pa shtetësi. Institucionet luanin me informatat. Përmes hulumtimeve u evidentuan 800 njerëz pa shtetësi, 300 prej të cilëve tashmë kanë arritur ta zgjidhin problemin më të rëndësishëm për ta. Por, numri i njerëzve fantom është sigurisht më i madh se kaq.
Ajnur Demiri është një ndër personat që nuk e ka pasur këtë fat. Ai ende nuk ka shtetësi. Mospasja e dokumenteve sigurisht që ndikon në cilësinë e jetës së tij.
“Unë vite të tëra jam pa dokumente, kam vetëm certifikatën e lindjes dhe nuk mund të kem letërnjoftim. Nëna, babai dhe gruaja ime kanë letërnjoftim, kurse unë jo. Unë mbledh shishe në koshin e mbeturinave, nëse policia më takon do më detyrojnë të paguaj, ndërsa unë nuk kam me çka të paguaj dhe punoj shtatë ditë punë vullnetarë në komuna të tëra, kjo sepse nuk kam dokumente”,- u shpreh personi pa shtetësi, Ajnur Demiri.
SIGURDSON:PA SHTETËSI, NJËSOJ SI PA IDENTITET
Janë të shumtë shqiptarët në grupin e personave pa shtetësi. Andaj ne pyetëm përfaqësuesin e UNHCR-së, Dag Sigurdson, se çfarë do bëhet me zgjidhjen e problemit të tyre. Ai thotë se kur një person nuk ka shtetësi, është njësoj si të mos ketë identitet.
“Kur një person nuk ka shtetësi, nuk dihet se çfarë identiteti mund të ketë, a është shqiptar, apo i përket ndonjë nacionaliteti tjetër. Poenta është që të shqyrtohen të gjitha rastet pa shtetësi, të vërtetohet identiteti i tyre dhe Qeveria të ndërmarrë masa që çdo rast të shqyrtohet individualisht”,- tha përfaqësuesi i UNHCR-së, Dag Sigurdson.
CAROVSKA: QEVERIA PUNON PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMIT
Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Mila Carovska, thotë se po punohet për të gjetur një zgjidhje për këta persona.
“Ligji për evidencën amë, ligji për procedurë kontestimore duhet ndryshuar dhe të gjendet mënyrë për t’u zgjedhur statusi i personave pa shtetësi, sepse kemi evidentuar persona që 60 vite jetojnë në këtë shtet dhe nuk posedojnë shtetësi”,- theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
Sipas Carovskës, Qeveria veç më ka filluar të punojë për lehtësimin e natyralizimit apo vërtetimin e shtetësisë për personat që jetojnë në Maqedoni. (Flutura Latifi, TVM2)