Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi në Kryesinë e Kuvendit një takim me krerët e komuniteteve fetare.
Në takim ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Asti, Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore, Ergest Biti.
Spiropali nënvizoi se me rastin e Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është e rëndësishme të diskutojmë jo vetëm për lirinë e besimit, si një e drejtë e garantuar në Shqipëri, por edhe për rolin e komuniteteve fetare në garantimin e të drejtave të tjera themelore të qytetarëve.
“Mozaiku fetar është një ndër pasuritë më të çmuara të Shqipërisë. Mirëkuptimi dhe toleranca fetare shërbejnë edhe si një faktor i kohezionit social të shoqërisë. Por duhet të shërbejnë edhe si një faktor i kohezionit politik dhe si një model prej të cilit politikanët e parlamentarët shqiptarë duhet të mësojnë. Gjuha e dhunës dhe urrejtjes është e papranueshme në shoqërinë tonë”, tha ajo.
Ndër të tjera, kryeparlamentarja tha se bashkëpunimi i Kuvendit me institucionet dhe komunitetet fetare duhet të ketë në fokus forcimin e infrastrukturës sociale të shoqërisë, fuqizimin e familjes dhe shëndoshjen e marrrëdhënieve familjare, ofrimin e shërbimeve sociale, njerëzore, arsimore, kulturore dhe eduktive, në luftën kundër dhunës në shoqëri e në familje, mbështetjen e familjeve dhe qytetarëve në nevojë, etj.



