27 Shtator 2018 / 15:16
Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë, ka dorëzuar padi penale për ish ministren e brendshme Gordana Jankullovska nën dyshimin për veprën e kryer penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”. Bëhet fjalë për punësimin e jashtëligjshëm të 100 praktikantëve.
Gordana Jankullovska, ish-ministre e Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2012, në disa raste, duke shmangur dispozitën ligjore për punësim të praktikantëve në procedurë të hapur dhe publike me shpalljen e konkursit publik, ishte drejtuar deri tek Ministria e Financave për të siguruar mjete financiare për punësim të 70 personave – praktikantë me arsim të lartë dhe 30 persona – praktikantë me arsim të mesëm – thonë nga SPB-ja, Kumanovë.
Në njoftimin e MPB-së, thuhet se Jankullovska në kërkesë ka theksuar se për pesë vende me arsim të lartë do të publikohet konkurs, përderisa për 70 praktikantë me arsim të lartë dhe 30 praktikantë me arsim të mesëm, punësimi do të realizohet pa konkurs publik, me sigurimin e mjeteve financiare për bruto pagë për 30 praktikantë me arsim të mesëm në vlerë prej 15.028 denarë për një person të punësuar.
Më 06.06.2012 për vendin e punës për të cilin është paraparë arsim profesional katërvjeçar, e dyshuara kishte punësuar një person -bashkëshorten e një funksionari të lartë në MPB, e cila ishte me arsim jo përkatës, gjegjësisht me arsim të mesëm trevjeçar, për çka kishte nënshkruar marrëveshje, me shumë të pagës mujore prej 620 pikë, pa klauzolë të vendosur Praktikant. Në këtë mënyrë ishte shmangur shuma e zvogëluar e detyrueshme e pagesës së pagës mujore përderisa zgjaste stazhi praktikues, me çka e ka dëmtuar buxhetin për 1 milion e 724 mijë e 885 denarë -thuhet në deklaratë.
Seanca gjyqësore “Tanku”, ku gjithashtu është e dyshuar ish ministrja e brendshme Jankullovska është caktuar për më 3 tetor kur pritet të thuhen fjalët përfundimtare.
Alsat


