15 May 2018 / 14:49
Arsyet që 31 persona të cilët kryen trajnimin për policë para dy vitesh mbeten ende jashtë MPB-së, janë rezultati i dobët në trajnime dhe mungesa e mjeteve financiare. Kështu thotë Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spaskovski duke premtuar se sapo të sigurojë mjete financiare do t’i angazhojë edhe këta 31 persona të kualifikuar për të ushtruar profesionin e policit, e të cilët presin më shumë se dy vite për të veshur uniformat.
Ata e dinë dhe kanë nënshkruar marrëveshje, se përderisa kanë rezultate të dobëta, nuk do bëhen pjesë e MPB-së. Megjithatë unë shumë qartë po them se po mundohemi që të sigurojmë mjete financiare dhe t’i fusim në sistemin e MPB-së me qëllim që të rritet numri i pjesëtarëve të policisë për të cilën gjë ka nevojë RM-ja. Kështu që prioritet kanë ata që i kanë mbaruar trajnimet, ata e kanë të patjetërsueshme të fillojnë me punë sepse janë pjesë e sistemit dhe ashtu kontrata kanë nënshkruar ndërsa për pjesën e mbetur, do t’i angazhojmë sapo të sigurojmë mjete financiare -tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Spasovski tha se të gjithë kandidatët që nuk kanë arritur rezultate të mira, mund të konkurrojnë në shpalljen e radhës. Ata sipas ministrit të brendshëm nuk duhet të kryejnë sërish trajnim por duhet të fitojnë pikët e duhura që parashikon konkursi. Por gjatë periudhës kur Spasovski ishte ministër teknik, akuzonte për obstruksione ministrin e atëhershëm të financave kuadër i VMRO-së. Spasovski asokohe kishte premtuar që të gjithë 434 personat që mbaruan trajnimin do të pranohen në punë.
Të gjithë 434 kandidatët të cilët e kanë kaluar trajnimin, do të pranohen dhe do të shpërndahen nëpër stacione policore, sa më afër vendbanimit të tyre. Tentimi i pasuksesshëm për manipulimin e kandidatëve për polic në MPB, edhe njëherë e tregon faktin që partia politike e VMRO-DPMNE-së nuk mund të pranojë faktin që MPB nuk është më MVRO – tha Oliver Spaskovski, Ish-ministër teknik i MPB-së.
Por deklarata e Spasovskit për pranimin e të gjithë 434 personave në punë, mbeti vetëm premtim!
MPB përmes një kumtese ka bërë të ditur se nga 1 qershori do të angazhojë kandidatët e rinj për policë, mirëpo mbetet të shihet nëse në këtë listë do të jenë edhe 31 kandidatët të cilët gjatë trajnimit të para dy viteve kanë siguruar pikë të mjaftueshme për të kaluar pragun e kritereve aktuale. Deri në vitin 2020 pritet që të pensionohen më shumë se dy mijë policë, ndërsa edhe aktualisht ka mungesë të numrit të policëve nëpër stacionet policore.
Besian Leka

