Nëse ka momente të reja në hetimin për atentatin ndaj presidentit të parë të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov ato do të ndahen me opinionin, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në ditën kur para 23 vitesh ndodhi atentati.
“Për të gjitha punët, edhe për këtë, nëse kemi njohuri të reja ne i ndajmë me opinionin, në frymën e transparencës. Gjithçka ekziston do të publikohet, jo vetëm për atentatin. Ajo është diçka që sot na e përkujton atë ditë edhe për aktivitete të tjera të cilat i ndërmerr Ministria e Punëve të Brendshme”, tha Spasovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas hapjes së seminarit rajonal “Parandalimi/lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm”.
Para 22 viteve më 3 tetor është kryer atentat ndaj presidentit të parë të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov, i cili e mbijetoi atë me lëndime të rënda në kokë.
Në vendin e atentatit jetën e humbi shoferi i tij Aleksandar Spirovski, ndërsa është lënduar truproja e Gligorovit, Illço Teovski. Si pasojë e lëndimeve vdiq edhe kalimtari i rastit, Hristo Hristomanov, ndërsa u lënduan edhe Klime Korobar dhe Jovan Atanasovski.
Mbetet e panjohur se kush ka qëndruar pas atentatit. Procedura hetuese e cila po zhvillohet kundër një kryerësi të panjohur ende është e hapur. Hetimi konfirmoi se atentati ka qenë i përgatitur dhe organizuar mirë dhe se vetëm rrethanë fati është që presidenti Gligorov e mbijetoi atentatin.
Sulmi është kryer me automobil bombë më 3 tetor të vitit 1995 në orën 9:50 në rrugën “Maqedonia” para hotelit “Bristol” në Shkup kur Gligorovi me automjetin zyrtar lëvizte nga rezidenca e tij drejt vendit të punës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Në automobilin “citroen ami 8” janë fshehur 20 kilogramë eksploziv, i cili është aktivizuar me telekomandë kur automjeti i Gligorovit lëvizte drejt ndërtesës së Kuvendit.
Në hetimin janë bastisur 30.850 automjete dhe janë kontrolluar mbi 15.000 objekte, janë legjitimuar mbi 188.000 persona prej të cilëve 19.000 janë kontrolluar. MPB ka kryer edhe më shumë biseda informative me njerëz për të cilët është vlerësuar se janë autorët e mundshëm të atentatit, por të gjithë ata janë lëshuar pasi janë marrë në pyetje.
Gligorov vdiq më 1 janar të vitit 2012 në moshën 94-vjeçare.