Vizita e ministrave të vendeve anëtare të BE-së nga grupi “Miqtë e zgjerimit”, sipas kryeministrit Oliver Spasovski, është shprehje e mbështetjes së madhe dhe të fuqishme të miqësisë së Maqedonisë së Veriut me vendet e prezantuara në grup, si dhe me të gjitha vendet tjera anëtar të Unionit dhe vjen në momente kur vendi ynë bëhet anëtar i NATO-s dhe kur presim vendim pozitiv për fillimin e negociatave me BE-në.
Siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, Spasovski sot e priti delegacionin nga “Miqtë e zgjerimit”, ministrat e punëve të jashtme të Polonisë – Jacek Caputoviç, të Letonisë – Edgars Rinkeviç, të Lituanisë – Linas Linkeviçius dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë – Mart Volmner, të cilët janë për vizitë dyditore në vendin tonë.
E kemi shprehur falënderimin tonë për vëmendjen dhe për deklaratat e hapura publike me mbështetje për Maqedoninë e Veriut dhe për hapje të shpejtë të negociatave aderuese, veçanërisht në periudhën e ardhshme kyçe. Ato janë sinjale pozitive për përkushtimin dhe guximin tonë në zbatimin e ndërmarrjeve të rënda reformuese, si dhe për arritjen e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë dhe për zbatimin e dispozitave nga ato marrëveshje, theksoi Spasovski në takimin në Qeveri, në të cilin mori pjesë edhe shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov.
Kryeministri ka thënë se metodologjia e re hap mundësi për avancim esencial të procesit të negociatave, për parashikim dhe respektim të plotë të parimit të meritave dhe e kthen kredibilitetin e BE-së në vend dhe në rajon. Me këtë rast theksoi se vendi dëshiron të jetë shembull për rajonin në zbatimin e qasjes së re. Presim që vendimi për negociatat, të shënojë fillim të një procesi dinamik dhe të lodhshëm, ka thënë mes tjerash Spasovski,
“Ministrat e punëve të jashtme të Polonisë, të Letonisë, të Lituanisë dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, në këtë takim edhe njëherë e theksuan mbështetjen e tyre të fuqishme dhe të palëkundur për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE dhe potencuan se gabimi strategjik për mosmiratimin e fillimit të atij procesi në tetor të vitit 2019 do të korrigjohet gjatë periudhës së ardhshme”, kumtoi pres-shërbimi qeveritar. .



