Duke e pasur parasysh se lufta kundër krimit të organizuar është një sfidë e shekullit XXI dhe ndikimi i tij është në të gjitha sferat e shoqërisë, trajtimi i suksesshëm me këtë fenomen është i nevojshëm dhe kërkon qasje serioze nga të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit. Rrezikimi i sigurisë me të cilën përballet Republika e Maqedonisë së Veriut është e ngjashme jo vetëm me atë të vendeve të rajonit të Ballkanit, por edhe me atë në BE dhe në SHBA, gjë që kërkon forma të reja të bashkëpunimit dhe veprimit në nivelin ndërkombëtar.
Këtë ndër të tjerash, e theksoi Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski në fjalimin e hapjes së seminarit “Bashkëpunimi midis resorëve në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit” që u realizua nën organizimin e Zyrës për bashkëpunim në mbrojtje në kuadër të Ambasadës së SHBA-së dhe Komitetit kombëtar për luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Në vend, ekziston një vullnet i fuqishëm politik dhe vetëdije e opinionit për një luftë intensive dhe të vazhdueshme kundër krimit të organizuar transnacional dhe në këtë kontekst shteti po bën përpjekje, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e institucioneve ndërkombëtare, të zhvillojë një kornizë ligjore efektive dhe krijimin e institucioneve të specializuara për të luftuar këtë lloj krimi, si dhe shkëmbim të shpejtë dhe më të efektshëm të informacionit mbi baza bilaterale dhe multilaterale, që është e një rëndësie të veçantë”, shtoi Spasovski.
“Sfidat me të cilat përballemi në luftën kundër krimit të organizuar transnacional po bëhen më komplekse nga viti në vit dhe kërkojnë thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar midis vendeve të rajonit, por edhe më gjerë, veçanërisht në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare. Për luftë më efikase kundër këtij fenomeni në vitin 2017, u krijua Komiteti Kombëtar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit si organi përgjegjës për ndërtimin e strategjive, koordinimin e veprimtarive midis subjekteve kryesorë në fushën e hershme të identifikimit, parandalimit deri tek ndjekja dhe sanksionimi i autorëve. Në këtë drejtim, në prill të vitit 2018, janë miratuar edhe dy strategjitë kombëtare me plane të veprimit për realizimin e qëllimeve strategjike edhe atë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit”, tha Spasovski.
Në fushën e luftës kundër terrorizmit, shtoi ministri Spasovski, “Republika e Maqedonisë së Veriut ka bashkëpunim të fuqishëm me vendet nga rajoni dhe bashkësia ndërkombëtare, si dhe partnerët strategjik – BE, Këshilli i Evropës, SHBA, NATO, IOM, OSBE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”. .



