Njoftohet se një nga kontrabandistët më të kërkuar të drogës në Evropë është kapur në një operacion në Spanjë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të bërë nga Xhandarmëria spanjolle, njoftohet se 44-vjeçari R.E.K, njeriu i dytë i organizatës më të njohur të drogës në Evropë, u kap në Benidorm, një nga vendet turistike në lindje të vendit.
Mësohet se personi në fjalë, i cili u kap në operacionin e kryer me policinë holandeze, akuzohej për kontrabandën e 840 kilogramëve kanabis në Holandë, 106 kilogramëve kokainë në Britani dhe pastrimin e më shumë se 6 milionë eurove.
Thuhet se rrjeti, i cili ka lidhje të rëndësishme në shumë vende, ka përvojë të gjerë në trafikun e drogës dhe është i specializuar në prodhimin në shkallë të gjerë të drogës sintetike.
Theksohet se R.E.K, i cili jetonte me familjen në një shtëpi me qira në Benidorm, është arrestuar për shkak të një urdhri arresti të lëshuar nga gjykata holandeze dhe se procedura për ekstradimin e tij do të nisë sipas vendimit, pasi ai është sjellë në gjykatën në Madrid.
Nga ana tjetër, njoftohet se njëkohësisht me operacionin në Spanjë, operacione të lidhura me të njëjtën organizatë kriminale u kryen në Holandë dhe Belgjikë dhe u kapën edhe shtatë anëtarë të tjerë të organizatës, si dhe u konfiskua një sasi e madhe droge.