Spanja dislokoi në Ceuta tri skuadra me nga 20 ushtarë secila, një njësi zhytësish dhe një anije ushtarake, njoftoi Ministria e Brendshme. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters edhe njësitë speciale të policisë do të forcohen me gjithsej 200 efektivë. Qeveria deklaroi se ushtarët do të mbështesin Gardën Civile (Guardia Civil) për të “ruajtur sigurinë në qytetin e Ceutës”.
Sipas të dhënave të autoriteteve gjatë ditëve të fundit në Ceuta kanë mbërritur me not më shumë se 1.500 migrantë. Ceuta, është një qytet spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut. Ky është territor i Bashkimit Evropian dhe kufizohet me Marokun. Numri i saktë i personave që kanë hyrë gjatë ditës së enjte është ende i paqartë. Sipas vlerësimeve të mediave numri i tyre varion nga disa qindra deri në disa mijëra vetë.
Situatë kaotike
Kreu i sindikatës së Gardës Civile, Rachid Sbihi, e përshkroi situatën në qytet si kaotike. Sipas tij kufiri praktikisht është shembur. “Nuk është e mundur të jepen shifra të sakta, por kufirin po e kalojnë mijëra migrantë “, tha ai.
Achraf Maimouni, nga Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut, e cilësoi situatën si të jashtëzakonshme, kurse autoritetet marokene ende nuk kanë komentuar për këtë çështje.
Presidenti rajonal i Ceutës, Juan Jesús Vivas, i bëri thirrje qeverisë qendrore në Madrid që, për “arsye të sigurisë kombëtare”, të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Ai kërkoi gjithashtu dërgimin e forcave shtesë policore si dhe vendosjen e trupave të ushtrisë në kufirin mes Marokut dhe Ceutës. Por Madridi e refuzoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në nivel kombëtar.
Shkak i mundshëm një vendim i Gjykatës së Lartë të Spanjës
Një shpjegim i mundshëm për këtë zhvillim lidhet me një vendim të në fillim të korrikut. Sipas këtij vendimi, personat që kapen në det gjatë përpjekjes për të arritur në Ceuta me not nuk mund të kthehen nga autoritetet menjëherë në Marok.
Qyteti spanjoll Ceuta në bregdetin e Afrikës së Veriut, është territor i Bashkimit Evropian dhe kufizohet me MarokunFotografi: REUTERS
Sipas gjykatës në raste të tilla duhet të ndiqet një procedurë e rregullt sipas legjislacionit për të huajt. Ministria e Brendshme e Spanjës i akuzon rrjetet e kontrabandistëve të migrantëve se po e shfrytëzojnë këtë vendim.



