Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën në ambientet e Kolegjit të Evropës në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke i cilësuar ato si përpjekje për ta kthyer Shqipërinë pas.
Në reagimin e tij, Rama thekson se studentët janë e ardhmja e vendit dhe se ata duhet të jenë gjithmonë të mirëpritur për të dialoguar dhe për të diskutuar mbi zgjidhjet e problemeve.
Ai akuzon opozitën se, përmes përdorimit të maskave, zjarrit dhe dhunës, synon ta rikthejë Shqipërinë në të kaluarën, ndërsa nënvizon se vendi do të vijojë rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Sipas Ramës, ajo që po ndodh në ambientet e Kolegjit të Evropës është një moment i vështirë, por që Shqipëria do ta kapërcejë së bashku.
“E ardhmja është e studentëve dhe e të gjithë shqiptarëve”, thekson kryeministri, duke shtuar se Shqipëria nuk do të kthehet më pas dhe nuk do të mbetet peng i së kaluarës.
Edi Rama:Deri dje, kjo ishte fytyra e Kolegjit të Evropës këtu në Tiranë, e shkollës. Sot, kjo është rrënimi nga duart që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve.
Studentët janë e ardhmja. Janë ata që shohin artin dhe janë gjithmonë të mirëpritur. Ne duhet të jemi gjithmonë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje.
Këto janë duar të tjera që duan ta ulin Shqipërinë, duar të një opozite që, me maska, zjarr e hekur, kërkon ta rikthejë vendin në humnerën nga e nxorëm dhe drejt majës historike ku po e ngjisim: Bashkimin Evropian.
Kolegji i Evropës është sot simboli ku shqiptarët po shohin këto orë të vështira, por orë që do t’i kalojmë të gjithë së bashku. Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt Evropës së studentëve dhe të gjithë shqiptarëve.
Kushdo që mendon se Shqipëria është larg, gabon. Kushdo që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë, sepse Shqipëria nuk do të kthehet kurrë pas, si peng i së kaluarës.
E kaluara, që u kthye si një fantazmë dhe përpiqet të rikthehet sa herë shqiptarët kthejnë kokën pas, do të mbetet e kaluar. E ardhmja është e studentëve dhe e të gjithë shqiptarëve.



