Deri sonte në mesnatë qytetarët kanë të drejtë të kontrollojnë listën e votuesve që do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Kontrolli realizohet në dy mënyra, në sektorët dhe zyrat rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), si dhe në mënyrë elektronike në aplikacionin e vendosur në ueb faqen e Komisionit.
Nga KSHZ njoftuan se deri më 6 shtator kontroll në Listën zgjedhore në sektorët dhe zyrat rajonale të KSHZ-së në vend kanë realizuar 20.081 qytetarë. Gjithashtu deri më 5 shtator 148.538 qytetarë i kanë kontrolluar të dhënat e tyre në mënyrë elektronike. Deri në këtë datë vetëm shtatë qytetarë kanë kërkuar fshirje të të dhënave nga Lista zgjedhore, 14 kanë kërkuar që të regjistrohen në listë, ndërsa 19 ndryshim të të dhënave.
Pas mbylljes së kontrollit public që skadon sonte në mesnatë, në afat prej pesë ditësh Komisioni duhet ta dorëzojë Listën zgjedhore deri të partitë politike të cilat, poashtu në afat prej pesë ditësh duhet t’i dorëzojnë vërejtjet e tyre deri te KSHZ-ja. Pas kërkesave të dorëzuara, KSHZ-ja vendos në afat prej tre ditësh, ndërsa kundër vendimit të KSHZ-së, partitë politike mund të dorëzojnë padi deri te Gjykata Administrative në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit.
Gjykata Administrative është e detyruar të vendosë në afat prej 24 orëve nga pranimi i padisë. Më së voni deri më 24 shtator KSHZ duhet ta mbyll listën zgjedhore më të gjitha ndryshimet dhe vërrejtjet e pranuara, ndërsa e nënshkruan më së voni 15 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. Më 14 shtator përfundon edhe afati për dorrëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë dhe këshilltarë komunal.
Partitë politike tanimë kanë zyrtarizuar një pjesë të kandidatëve, ndërsa pjesa e mbetur pritet që të zyrtarizohet gjatë ditës së nesërme dhe në çaste e fundit të afatit. Fushata për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale fillon më 25 shtator dhe përfundon më 13 tetor në mesnatë. Zgjedhjet lokale do të realizohen në 80 komuna të vendit dhe në Qytetin e Shkupit në mbi 3.400 vendvotime. Arben Zeqiri /SHENJA/

