Masa e vendosur nga Qeveria për kufizimin e çmimeve dhe marzheve të fitimit, që u ndërmor përpara festave të Ramazanit dhe Pashkëve, skadon sot. Ministria e Ekonomisë dhe Punës bën të ditur se fillimisht do të analizohen rezultatet përfundimtare të kësaj mase, dhe më pas do të merret një vendim për hapat e ardhshëm.
Nëse konstatohet rritje e padrejtë e çmimeve apo sjellje të devijuar nga tregtarët, Ministria paralajmëron vendosjen e masave të reja, më të rrepta.
Ministri Besar Durmishi deklaroi se, në rast se pas skadimit të masës aktuale Inspektorati Shtetëror i Tregut konstaton abuzime, do të vendoset një kufi i ri për marzhet e fitimit për pothuajse të gjitha produktet, ose do të rritet vlera e kufirit ekzistues.
Sipas tij, kufizimi aktual i marzhit të fitimit në 10 përqind ka treguar rezultate pozitive, duke ndikuar në uljen e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve.
Kjo masë u vendos më 20 mars me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës dhe përfshinte kufizime të marzhit të fitimit për 102 grupe produktesh, si dhe vendosjen e çmimeve maksimale për tetë grupe produktesh ushqimore.
Ndërkohë, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit më 18 prill, të gjithë shitësit me pakicë janë të detyruar të publikojnë çmimet e produkteve në faqet e tyre zyrtare dhe t’i përditësojnë ato çdo ditë deri në orën 10:00 të mëngjesit.
Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM) ka propozuar krijimin e një platforme krahasuese për çmimet e produkteve. Ministria e Ekonomisë dhe Punës e mbështet këtë nismë dhe njofton se do të nevojitet të paktën një muaj nga zbatimi i detyrimit për të parë rezultatet konkrete, ndërkohë që nuk përjashton mundësinë e krijimit të një faqeje të posaçme ku qytetarët të mund të kontrollojnë çmimet në kohë reale.