27 March
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta vazhdojë seancën konstituive në të cilën do të zgjidhet kryetari, zëvendësi i kryetarit, anëtarët dhe zëvendësit e tyre të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.
Partitë parlamentare pas takimeve treditore në Kuvend, të enjten arritën marrëveshje që kryetari i Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve të jetë nga VMRO-DPMNE-ja, që me shumë gjasa do të jetë Ilija Dimovski.
Sipas akordeve paraprake nga partitë politike, VMRO-DPMNE-ja do të ketë gjashtë anëtarë në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, LSDM-ja pesë, ndërsa BDI-ja dhe Besa nga një anëtar.
VMRO-DPMNE-ja as dje nuk ka dashur të komentojë nëse do të mbështesë kandidatin e përfolur të shumicës së re parlamentare Talat Xhaferi ose do të propozojë emër të ri. Në rast obstruksionesh në zgjedhjet e kreut të Kuvendit, rregullorja parashikon që seanca për zgjedhjet e kryetarit të thirret nga 1/3 e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime ose me nismën e 20 deputetëve. Ish kryeministri Nikolla Gruevski këmbëngul në zgjedhje të reja së bashku me ato lokale.