Nën masa të rrepta të sigurisë, sot po mbahen zgjedhjet presidenciale në Afganistan. Është raportuar se disa sulme kanë ndodhur në qytete të ndryshme, pavarësisht pranisë së shtuar të forcave të sigurisë në hapësira publike.
Në këto zgjedhje po garojnë 14 kandidatë, por pritet që përballja kryesore të jetë mes presidentit të tanishëm, Ashraf Ghani, dhe ish-zëvendësit të tij, Abdullah Abdullah.
Të drejtë votimi kanë rreth 9 milionë njerëz, ndërsa fituesi i zgjedhjeve pritet të ketë rol të rëndësishëm për përfundimin e luftës me talibanët dhe vazhdimin e bisedimeve të paqes mes militantëve dhe Shteteve të Bashkuara.
Grupi militant, i cili e kontrollon më shumë territore se kurrë më parë që nga rrëzimi nga pushteti më 2001, ka kërkuar nga populli që të mos votojnë, në të kundërtën do të përballen me pasoja të rënda.
Autoritetet i kanë angazhuar dhjetëra mijëra forca policore dhe ushtarake në 34 provinca për t’i mbrojtur votuesit dhe qendrat e votimit.
Më shumë se 400 qendra të votimit kanë mbetur të mbyllura për shkak se ato ndodhen në zonat që kontrollohen nga talibanët. Qindra të tjera do të mbyllen për shkak të gjendjes së brishtë të sigurisë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.




