Afati për parashtrimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale 2017 përfundon sot në mesnatë. Deri te komisionet zgjedhore komunale prej para disa ditëve, grupe votuesish kanë filluar t’i dorëzojnë listat e kandidatëve, ndërsa partitë politike pjesën më të madhë të kandidatëve tanimë e kanë zyrtarizuar dhe publikuar për opinionin.
Por, ky proces duket që shkon me shumë vështirësi në BDI-në e Tetovës. Deri në çastet e fundit kjo parti ende nuk ka marrë vendim se me kë do të garojë për ulësen e parë në Komunën e Tetovës.
Jozyrtarisht njoftohet se pretendente kryesore mbetet kryetarja aktuale Teuta Arifi, por ajo ka përballë edhe dy kundërkandidatë, Hajrulla Hasanin dhe Ibrahim Deharin, të cilët po ashtu gëzojnë mbështetje të konsiderueshme tek nëndegët. Vendimin final mësohet se do ta jep Ahmeti dhe ai do të kumtohet vetëm disa çaste para skadimit të afatit.
Sipas kodit zgjedhor, Komisionet Zgjedhore Komunale në afat prej 48 orëve nga pranimi i listës së kandidatëve do të duhet të vërtetojnë nëse ajo është parashtruar në afatin përkatës dhe nëse është përpiluar në pajtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Parashtruesit e listave të kandidatëve kanë afat prej 48 orëve t’i mënjanojnë parregullsitë, ndërsa KZK i konfirmon me vendim. Listat që do të parashtrohen pas skadimit të afatit dhe nëse nga ato nuk mënjanohen parregullsitë e konstatuara do të hidhen poshtë. Listat e konfirmuara të kandidatëve KZK duhet t’i dorëzojë deri te Komisioni shtetëror zgjedhor më së voni deri më 16 shtator për shkak të vërtetimit të orarit të listës së vetme të kandidatëve. Sipas Kalendarit për veprime zgjedhore, shorti duhet të mbahet më 18 shtator.
Më së voni deri më 21 shtator KZK i publikon listat e kandidatëve për anëtarë të këshillit dhe për kryetarë të komunave, ndërsa në ato komuna në të cilat më së paku 20 për qind e qytetarëve flasin gjuhën zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase, publikohen krahas gjuhës maqedonase dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin që e përdorin qytetarët në atë komunë. KSHZ-ja sot do ta parashtrojë Listën zgjedhore deri te partitë politike, të cilat në afat prej pesë ditëve deri te Komisioni duhet të dorëzojnë kërkesë për regjistrim, plotësim ose shlyerje të të dhënave.
Listën zgjedhore, në të cilën janë kryer të gjitha ndryshimet që dalin nga verifikimi publik, e shtypur në certifikata, KSHZ-ja e përfundon më së voni deri në 24 shtator. Listën e përfunduar zgjedhore KSHZ-ja e nënshkruan më së voni deri më 29 shtator. Zgjedhjet e gjashta lokale janë caktuar për më 15 tetor, ndërsa do të zbatohen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Fushata zgjedhore do të fillojë më 25 shtator në mesnatë dhe do të përfundojë më 13 tetor. Arben Zeqiri

