Ora policore për dy orë më herët është në fuqi nga mbrëmja e sotme. Me qenë se deri tani kufizimi i lëvizjes së qytetarëve niste nga ora 22:00, tani do të nisë prej orës 20:00, me vendimin e fundit të Qeverisë. Ndërkaq, objektet hotelierike mbyllen prej nesër. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke i arsyetuar masat plotësuese restriktive, deklaroi se ato janë marrë për shkak se jemi në një periudhë kur sistemi shëndetësor është i ngarkuar dhe kryesisht për shkak të muajit të Ramazanit.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Duke pasur parasysh përvojën e vitit të kaluar kur festa të tilla, konkretisht Ramazani dhe Pashkët ishin në të njëjtën periudhë, seriozisht e komplikuan dhe e ndërlikuan situatën epidemiologjike, konsiderojmë se nëse ndodh tani me një sistem shëndetësor tashmë të ngarkuar, do të jetë situatë krize që do të jetë e vështirë të menaxhohet. Kjo është arsyeja për futjen e masave shtesë kufizuese për t’i dhënë fund kësaj valë të tretë dhe deri tani më të fortë të Kovid-19. Besoj se qytetarët do t’u përmbahen të gjitha këtyre masave”.
Ministri më tej theksoi se po vazhdon imunizimi i qytetarëve në sallën “Boris Trajkovski”, dhe se për një ditë u vaksinuan 2 500 qytetarë. Ndërsa, për vaksinim për ditën e parë paraprakisht ishin paraqitur 3 000 vaksina.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Dje janë vaksinuar afër 2.500 qytetarë dhe vazhdon ai sistem imunizimi në të gjitha qendrat shëndetësore në të gjithë vendin për kategorinë e moshës së qytetarëve mbi 77 vjeç. Qytetarët e rritur do të thirren përmes mjekëve amë, ndërsa përmes sistemit të emërimeve dhe regjistrimit në institucione do të rritet numri i qytetarëve që do të vaksinohen në sallën “Boris Trajkovski”. Numri optimal që duam të arrijmë është që të kemi rreth 7.000 qytetarë të vaksinuar në ditë. Mund të rritet, por po shkojmë hap pas hapi. Sidoqoftë ky është një sistem i ri dhe duam që të funksionojë mirë. Dje nuk kishte asnjë problem dhe shpresoj se do të vazhdojë edhe në periudhën vijuese”.
Filipçe njoftoi se në mesin e këtij muaji priten të arrijnë edhe vaksinat Fajzer.
Në vend, deri tani kanë arritur 78,000, nga të cilat 48,000 janë të dhuruara nga qeveria serbe. Deri tani janë vaksinuar 13 000 qytetarë.