Numri i qytetarëve që besojnë se Serbia po ecën në drejtimin e duhur ka rënë me 10 përqind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa po aq më pak qytetarë kanë besim në Qeverinë e Serbisë – tregojnë të dhënat më të fundit të hulumtimit “Eurobarometër”, të porositur nga Komisioni Evropian.
Sipas analistëve, kjo është një tjetër dëshmi se protestat dhe ngjarjet e gjashtë muajve të fundit kanë ndikuar dukshëm në opinionin publik në Serbi.
Gjatë gjashtë muajve të fundit, Serbia është përballur me krizën më të madhe që nga ardhja në pushtet e Partisë Përparimtare Serbe. Vdekja e 16 personave nga shembja e çatisë së stacionit hekurudhor të rinovuar në Novi Sad ka shkaktuar një valë protestash që fillimisht u nisën nga studentët, e më pas u bashkuan qytetarë nga e gjithë vendi.
Në këtë periudhë janë publikuar disa sondazhe që tregojnë për rënie të mbështetjes ndaj partisë në pushtet, e cila duket se ka vështirësi të përballet me protestat studentore dhe qytetare.
Megjithatë, çdo sondazh është shoqëruar me kritika të forta nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili ka vënë në dyshim besueshmërinë e institucioneve hulumtuese si CRTA dhe analistëve si Djordje Vukadinoviq.
Por tani, vështirë se mund të kundërshtojë rezultatet e Eurobarometrit – një hulumtim zyrtar dhe i rregullt që realizohet nga Komisioni Evropian dhe konsiderohet kredibil.
Vetëm 37% mendojnë se vendi po ecën mirë, 57% nuk kanë besim në qeveri
Sipas këtij hulumtimi, vetëm 37% e qytetarëve mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, ndërsa 58% besojnë të kundërtën. Kur u pyetën për besimin në Qeverinë e Serbisë, 39% thanë se “kryesisht kanë besim”, ndërsa 57% deklaruan se “kryesisht nuk kanë besim”.
Sipas politologut Aleksandar Ivkoviq, ky është një sinjal i qartë se opinioni publik po ndryshon dhe se protestat kanë ndikuar në këtë ndryshim. Ai thekson se Eurobarometri është një sondazh serioz, i realizuar “ballë për ballë” me më shumë se 1,000 të anketuar në Serbi.
Ivkoviq shton se përveç ekonomisë, tani qytetarët shprehin shqetësime edhe për krimin, arsimin dhe kërcënimet ndaj demokracisë. Ai nënvizon se edhe pse qeveria ende gëzon mbështetjen e një pakice të konsiderueshme, shumica e qytetarëve nuk e mbështesin më. /Nova