Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Shkupit për të thirrur ambasadorin bullgar Zhelasko Radukov në një takim protestues, duke e cilësuar këtë hap si “të papritur dhe të pajustifikuar”.
Në një deklaratë zyrtare, MPJ e Bullgarisë shpreh habi që një veprim i tillë ndërmerret në një periudhë kur, sipas tyre, “përfaqësues të lartë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut kanë qenë të përfshirë në qëndrime dhe mesazhe të hapura armiqësore ndaj Bullgarisë”.
Ambasadori Radukov, sipas deklaratës, ka vënë në pah “mungesën sistematike dhe të qëllimshme të respektit nga autoritetet maqedonase në deklaratat publike”, ndërsa MPJ bullgare ngre shqetësimin për “një seri deklaratash të ashpra, manipuluese dhe shpeshherë fyese” që, përveç Bullgarisë, kanë shënjestruar edhe Bashkimin Evropian.
Deklarata përfshin edhe një dënim të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski për retorikën e tij ndaj ministrit të Jashtëm bullgar Georg Georgiev.
“Këto deklarata janë të papajtueshme me normat minimale të dialogut diplomatik dhe fqinjësisë së mirë”, thuhet në reagim.
Mickoski, një ditë më parë, në një deklaratë për mediat e vendit, u shpreh me tone ironike ndaj ministrit bullgar Georgiev, i cili e kishte quajtur “kryeministër verimaqedonas”.
“Nuk dua ta komentoj atë djalë. Ai është aty me porosi. Ju lutem edhe juve, mediat, mos i jepni rëndësi. Është si të vendosësh një mi përballë një luani – vetëm për të ngacmuar”, deklaroi Mickoski.
Bullgaria thotë se kjo gjuhë jo vetëm që dëmton besimin mes dy vendeve, por e vë në pikëpyetje serioze përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj Marrëveshjes për Miqësi, si dhe ndaj procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Bullgaria nuk do të tolerojë gjuhën e urrejtjes, sulmet personale dhe përpjekjet për të përkeqësuar qëllimisht marrëdhëniet dypalëshe. Këto deklarata përforcojnë një klimë armiqësie dhe nuk tregojnë vullnet për kthim në një dialog konstruktiv dhe respektues”, përmbyllet reagimi i Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.(INA)