Partia socialiste e kryeministrit portugez, Antonio Costa, i ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e së dielës, por ka dështuar ta kalojë shifrën prej 50 për qind të përkrahjes, e cila do t’ia mundësonte krijimin e qeverisë së re pa koalicion.
Partia Socialiste i mori 36.6 për qind të votave, ndërsa vendin e dytë e zuri Partia Socialdemokrate me rreth 28 për qind. Këto rezultate janë preliminare, kur janë numëruar pothuajse të gjitha kutitë e votimit. Rezultatet janë publikuar nga Ministria e Brendshme e Portugalisë në orët e hershme të ditës së hënë.
Votat e socialistëve u rritën edhe më shumë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2015 dhe vijnë pas sukseseve të partive të majta edhe në Danimarkë, Spanjë, Finlandë dhe Suedi, duke e luftuar trendin e rënies së përkrahjes për këtë krah politik në disa pjesë të tjera të Evropës.
Këto rezultate bëjnë që Partia Socialiste, e cila ka qenë në pushtet në katër vjetët e kaluar, do t’i ketë 106 deputetë në kuvendin me 230 ulëse, ndërsa në mandatin e kaluar i kishte vetëm 86 deputetë. Kësaj partie i mungojnë vetëm 10 ulëse për ta siguruar shumicën dhe për ta formuar qeverinë e re.
Negociatat për koalicionin e ri pritet të nisin të hënën. Në mandatin e kaluar, Partia Socialiste kishte nënshkruar koalicion me Bllokun e Majtë dhe komunistët. Sidoqoftë, për t’u bërë pjesë e koalicionit të ri, këto parti po kërkojnë më shumë ndryshime, përfshirë rritjen e shpenzimeve publike, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.




