Analisti i njohur, Lutfi Dervishi ka reaguar pas debatit të krijuar nga deklarata e tij për patronazhistët, të cilët i cilësoi si “qenie të pështira”, duke sqaruar arsyet e këtij qëndrimi.
Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Dervishi bëri një krahasim mes personit që hap varre dhe patronazhistit, duke argumentuar se ndërsa i pari kryen një punë të vështirë dhe të dhimbshme, i dyti, sipas tij, ndërhyn në jetën private të qytetarëve dhe i përdor nevojat e tyre për interesa politike.
“Patronazhisti fut hundët në jetën private të njerëzve, mbledh të dhënat e tyre personale, ua studion hallet, frikërat dhe varësitë, pastaj i shndërron të gjitha në monedhë shkëmbimi për një votë. U kërkon punonjësve të administratës lista me familjarë e të afërm, duke ua matur besnikërinë politike me numra dhe jo me dinjitet”, shkroi Dervishi.
POSTIMI I PLOTE I LUTFI DERVISHIT
Sqarim për “qenien e pështirë”
Kanuni i Lekë Dukagjinit thotë se ka punë për të cilat nuk thuhet kurrë “puna e mbarë”. Njëra prej tyre, e njohur prej shekujsh, është hapja e varreve.
Pikërisht kjo traditë më erdhi në mendje kur dikush më pyeti sot pse i kam quajtur patronazhistët “qenie të pështira”. Për mua, në fakt, ekzistojnë vetëm dy kategori njerëzish që nuk e meritojnë këtë urim: ai që hap varre dhe patronazhisti.
Dikush mund të thotë se krahasimi është i padrejtë. Varrmihësi kryen një punë të nevojshme, ndërsa patronazhisti thjesht bën fushatë, si gjithkush tjetër në politikë. Por dallimi është i madh: varri hapet për atë që s’mund ta shmangësh, vdekjen; patronazhisti të hap derën e poshtërimit. I pari kryen një rit të dhimbshëm mbi të vdekurit. I dyti kryen një proces degradues mbi të gjallët, duke i trajtuar sikur të ishin numra, jo njerëz.
Patronazhisti fut hundët në jetën private të njerëzve, mbledh të dhënat e tyre personale, ua studion hallet, frikërat dhe varësitë, pastaj i shndërron të gjitha në monedhë shkëmbimi për një votë. U kërkon punonjësve të administratës lista me familjarë e të afërm, duke ua matur besnikërinë politike me numra e jo me dinjitet.
Dhe nuk e bën këtë për bindje ideologjike apo për të përhapur një filozofi politike. Nuk e bën nga idealizmi, por nga interesi i ngushtë person. E bën për të siguruar një vend pune në shtet, një ngritje në karrierë, një tender, një emërim, një favor për veten ose për të afërmit. Pikërisht ky është degradimi më i madh: kur dinjiteti i tjetrit shitet për përfitimin tënd.
Ka profesione të rënda e të rëndomta që i shërbejnë shoqërisë dhe meritojnë respekt maksimal. Varrmihësi e ka fituar këtë respekt. Varrmihësi është njeri. Patronazhisti është qenie e pështirë.



