Nepermjet nje postimi deputeti i ASh-së Halil Snopçe ka reaguar lidhur me Pllakën përkujtimore në kazermën e Shkupit, në të cilën shkruan: “…kundër terroristëve shqiptarë”.
Ja reagimi i tij i plotë:
Sot, Ministri i Mbrojtjes publikoi një postim për homazhet në kazermën “Ilinden”, ku u vendosën lule të freskëta para përmendores së batalionit të forcave speciale. Por pas tyre, një e vërtetë e hidhur që nuk mund të injorohet.
Në pllakën përkujtimore qëndron ende një fjali që therr:
“Të rënë në luftë kundër terroristëve shqiptarë”.
Në vitin 2026… ende kjo gjuhë? Ende ky përçmim? Ende kjo padrejtësi?
Kjo nuk është thjesht një fjali. Është një plagë e hapur për mijëra familje. Është një mesazh që u thotë shqiptarëve se sakrifica e tyre nuk njihet, se historia e tyre mohohet.
Si mund të flasim për Evropë, për bashkëjetesë, për të ardhme të përbashkët, kur në zemër të institucioneve tona qëndrojnë fjalë që ndajnë dhe lëndojnë?
UÇK-ja dhe luftëtarët e saj nuk janë terroristë. Ata janë pjesë e historisë sonë, e dhimbjes dhe e qëndresës sonë.
Nuk mund të ketë paqe të vërtetë pa respekt. Nuk mund të ketë bashkëjetesë pa dinjitet.
Kjo duhet të ndryshojë. Tani.


