Deputeti i Aleancës për Shqiptarët Halil Snopçe në seancën e sotme parlamentare ka kërkuar sqarim nga ministri i ekonomisë Besar Durmishi se mbi çfarë informacioni është mbështetur kur ka konstatuar se ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Hoxha, paska ofenduar shqiptarët në Maqedoni.
Ai theksoi se lajmi për të cilin është reaguar më herët është përgënjeshtruar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, dhe ngriti dilemë nëse ministri Durmishi i ka verifikuar informacionet para se të kërkonte që ministri Hoxha të kërkojë falje, apo ka vepruar duke u mbështetur në burime të paverifikuara, përfshirë komunikime në WhatsApp.
Është me rëndësi të sqarohet nëse janë konfirmuar informatat e tilla apo është besuar një version i paverifikuar, ndërkohë që ekziston edhe përgënjeshtrimi zyrtar,” u shpreh ai.
Sipas Snopçes ministri Durmishi duhet të ketë kujdes kur del me reagime të tilla, veçanërisht në një kohë kur, siç tha ai, kanë ndodhur edhe sulme ndaj ambasadorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, z. Mejdani, dhe tani edhe ndaj ministrit të Jashtëm të Shqipërisë.
Ai i cilësoi këto zhvillime si sulme të orkestruara nga elitat politike maqedonase, të cilat, sipas tij, nuk dëshirojnë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, ndërsa shtoi se Durmishi po u shërben atyre elitave dhe jo interesave të shqiptarëve.
Më tej, Snopçe akuzoi ministrin për “amaterizëm politik” dhe “mosdije politike”, duke kërkuar që fillimisht të angazhohet për interesat e popullit shqiptar,
pavarësisht kufizimeve në kompetenca që, sipas tij, i janë bërë.
Në reagimin e tij, ai ngriti edhe disa pyetje të tjera për qeverinë, përfshirë mungesën e përfitimit të kompanive shqiptare nga 250 milionë eurot e kredisë hungareze, rënien e investimeve të huaja direkte, rritjen e çmimeve të produkteve bazë, karburanteve dhe energjisë elektrike, si dhe raportin gjithnjë e më të pafavorshëm mes shportës konsumuese dhe pagës së qytetarëve.
Po ashtu, ai pyeti pse, edhe pas dy vitesh qeverisje, nuk është bërë zhbllokimi i negociatave siç ishte premtuar, pse gjuha shqipe nënçmohet në institucione publike, pse nuk përkrahen studentët shqiptarë dhe pse, sipas tij, po tentohet devijimi i trasës së Korridorit 8.“Gishtin në kokë, sepse duke i parë të gjitha këto ‘pse’, qytetarët në të ardhmen mund të përdorin edhe fjalë shumë më të rënda,” përfundon reagimi i depueteti të Aleancës për Shqiptarët Halil Snopçe Reagim ky i cili ka marrë edhe pëlqimin e Ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu.


