Ministria e Brendshme e Gjermanisë ka konfirmuar se synon të ashpërsojë kriteret për kalimin e testit të gjuhës gjermane, i cili është kusht për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm dhe, më vonë, edhe për fitimin e shtetësisë gjermane.
Sipas gazetës „Bild“, vendimi vjen pas rritjes së rasteve të mashtrimit gjatë provimeve të gjuhës gjermane.
Sipas rregullores së re, është konstatuar se pjesëmarrësit në kurset online të integrimit kanë siguruar në mënyrë të paligjshme pyetjet dhe përgjigjet e sakta për pjesët e dëgjimit dhe leximit të testit.
Kjo pjesë e provimit përbëhet nga 45 pyetje, ku kandidatët duhet të zgjedhin përgjigjet e sakta. Provimi përfshin gjithashtu edhe një pjesë me shkrim, ku kandidatët duhet të hartojnë një tekst të shkurtër në gjuhën gjermane.
Sipas Ministrisë, deri më tani kandidatët shpesh nuk e kanë kaluar fare pjesën e shkrimit, por provimi u është konsideruar i kaluar falë rezultateve të mira në pjesët e tjera, me kusht që të kalonin edhe pjesën me gojë në nivelin B1.
Me rregullat e reja, Ministria synon të rrisë sigurinë dhe të parandalojë mashtrimet gjatë testit të gjuhës gjermane për emigrantët (DTZ).
Ndryshimi kryesor është se kandidatët do të duhet të dëshmojnë njohuri në të tria fushat: dëgjim dhe lexim, shkrim dhe të folur. Në fushën ku kanë rezultatet më të dobëta, do të duhet të arrijnë të paktën nivelin A2.
Kjo do të thotë se provimi nuk do të konsiderohet i kaluar nëse kandidati nuk arrin nivelin minimal A2 në cilëndo nga këto tri fusha.
Ndryshimet në rregulloren për provimet e kurseve të integrimit pritet të hyjnë në fuqi më 1 nëntor.



