Gazetari investigativ Artan Hoxha ka hedhur dritë mbi operacionin e bujshëm “URA”, duke theksuar se përkundër deklaratave zyrtare, grupi nuk është realisht i “çmontuar”.
Artan Hoxha: Ajo që u vu re përvecse mediave që solli informacion ishte dosja italiane, që ishte 1000 e ca faqe. Zhurma që u bë ishte e madhe dhe u krijua përshtypja…dhe titulli ishte “u çmontua grupi i Shkozetit”. Në fakt aty ka më tepër veprime shkresore që janë bërë, veprime konkrete në terren. Ai është një hetim historik, hetim për ngjarje që kanë ndodhur deri në momentin kur Sky ishte në aktivitet, dmth deri në 2021, ndërkohë që ne jemi në 2025. Hetimi është bërë në një kohë që edhe vetë grupi nuk ka qenë në potencialin që është sot, pa u ngjitur në majë.
Pa diskutim që është një sukses, sepse më në fund një nga grupet në Shqipëri që ka elementet për tu quajtur organizatë me një historik të paktën mbi 25 vjeçar ekspozohet për qytetarët shqiptarë. Përbën sukses ky fakt, por në cfarë përmasa është ky sukses, a është real goditja, dhe a është çmontim, këtu na lindin pikëpyetjet. Kjo ka të bëjë me fuqinë e grupit dhe grupi është hetuar për vepra në Itali, jo në Shqipëri. Nuk ka asnjë vrasje aty. Në Shqipëri këta kanë disa momente, faza dhe përplasje. Në Shqipëri nuk bëhesh i njohur se merresh me tregti, por për këtë momentin tjetër. Kjo të con te fuqia lokale, më pas bëhesh aktor i rëndësishëm dhe përfshihesh në lidhjet korruptive dhe lidhjet me politikën. Këta i kanë të gjitha brenda.
U arrestuan ata që ishin të arrestuar dhe u shpallën në kërkim ata që ishin në kërkim. Flasim për nivelin e lartë, nuk flasim për shoferët.
E gjitha ekspozeja u shoqërua me titullin “çmontohet”, kur thua çmontohet, e ke parasysh se cfarë është çmontimi. Nuk mund të çmontohet dikush që nuk e ke kapur. Trofeu më i madh i këtij operacioni është 3 mln euro që janë kapur në 18 maj të vitit të kaluar. Nga 18 maji i vitit të kaluar nuk ke pse pret prokurorin e Barit, sepse ti je prokurori i Shqipërisë dhe si asnjë prokurori më përpara ke burime njerëzore, financiare që ti të çmontosh edhe atë. Kjo duhej bërë para zgjedhjeve, ka dhe krim zgjedhor. Kur është bërë vjet kontrolli më 18 maj RENEA ka ngelur 6 orë nuk hynte dot në banesë aty. Ajo rrugë ku RENEA ka hyrë, edhe sot i ka blloqet e betonit, do hysh sikur hyn në ambasadë. Pra ata nuk janë fshehur, ata kanë qenë aty. Ti do ta kishe sukses të vërtetë nëse ti do kishe arrestuar Vis Docin, dhe më pas kanë hierarki . Ne na u shit një djalë tjetër, thoshin ky ishte kreu.