Një aksion i SPAK ka zbuluar dhe goditur një rrjet të mirëorganizuar kontrabande cigaresh, në të cilin janë përfshirë zyrtarë doganorë, biznesmenë dhe shtetas të huaj.
Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se janë lëshuar 15 urdhër-arreste, një pjesë e të cilave janë ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese.
Gjithashtu, janë firmosur 21 masa ndalimi për dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, me qëllim parandalimin e arratisjes së personave të dyshuar dhe nën hetim.
Sipas të dhënave paraprake, në këtë skemë të paligjshme dyshohet se janë përfshirë funksionarë doganorë, biznesmenë që operojnë në tregtinë e cigareve, si dhe shtetas të huaj të angazhuar në importin dhe shpërndarjen ilegale të mallrave.
SPAK vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj afere, ndërsa pritet që në orët në vijim të jepen më shumë detaje mbi operacionin dhe personat e përfshirë.