Fatmir Bytyqi
Karakteri vleror i shtetit dhe i institucioneve të tij shfaqet më së shumti atëherë kur ato kanë pushtet mbi qytetarin – kur marrin vendim, kur japin urdhër apo kur zbatojnë sanksion. Pikërisht në atë kontakt shihet nëse institucionet tek qytetari njohin një njeri të barabartë apo vetëm një numër në sistem.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin “Qyteti i sigurt”, e edhe më shumë qëndrimet që u shprehën publikisht lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, nuk mund të interpretohen vetëm si edhe një episod juridik. Bëhet fjalë për simptoma të një gjendjeje më të thellë politike në shtet.
Formalisht, Gjykata Kushtetuese u deklarua se nuk është kompetente të vlerësojë zbatimin e zgjidhjes ligjore. Por politikisht dhe moralisht, çështja mbetet e hapur me gjithë peshën e saj vlerore dhe rëndësinë për shoqërinë tonë: çfarë mesazhi dërgon shteti kur konsideron se mund të të evidentojë, të të ndjekë dhe të të sanksionojë, e megjithatë nuk është i detyruar të të drejtohet edhe në gjuhën tjetër zyrtare që e flasin të paktën 20% e qytetarëve, siç parashikon Amendamenti V i Kushtetutës. Në debatin publik, kryetari i Gjykatës, Darko Kostadinovski, tha se mesazhi duhet të jetë në maqedonisht, ndërsa mirë është edhe në anglisht, kurse shqipja, sipas asaj logjike, do të vinte më vonë, gjatë procedurës. Në atë një fjali është përmbledhur e gjithë thelbi i problemit – nëse për të huajin ekziston një kujdes pragmatik që mesazhi të jetë i kuptueshëm, atëherë edhe më shumë duhet të ekzistojë një detyrim kushtetues dhe demokratik që qytetari i vet të trajtohet në mënyrë të barabartë.
Pikërisht për këtë arsye ky qëndrim nuk është vetëm juridikisht i gabuar, por thelbësisht përjashtues. Sepse gjuhën shqipe nuk e trajton si realitet të brendshëm kushtetues të shtetit, por si diçka që mund të shtyhet, të largohet, të zhvendoset në një fazë “më të vonshme”. Por dinjiteti, barazia dhe kushtetutshmëria nuk mbërrijnë më vonë; ato ose ekzistojnë, ose nuk ekzistojnë, që në momentin e parë kur shteti të drejtohet.
Por kjo sjellje e Gjykatës Kushtetuese nuk ndodh në vakum politik. Përkundrazi, ajo përshtatet natyrshëm në narrativën më të gjerë të pushtetit aktual të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ku shteti përfytyrohet si vertikale komandimi, e jo si horizont i barazisë. “Safe City” u shty si projekt për efektivitet dhe disiplinë të shpejtë. Ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje u miratuan me procedurë të shkurtuar, ndërsa vetë arsyetimi e theksonte shpejtësinë, sanksionimin efikas dhe parandalimin e përgjithshëm efektiv. Kjo në vetvete nuk është kontestuese kur bëhet fjalë për sigurinë në komunikacion dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Por bëhet thellësisht kontestuese kur logjikës së kontrollit i shtohet qëndrimi se shteti mund të të ndëshkojë shpejt, pa pasur detyrimin të të njohë plotësisht.
Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i instinktit autoritar të organizmit shtetëror, i cili gjithmonë dëshiron një qytetar që lexohet lehtë, disiplinohet lehtë dhe menaxhohet në mënyrë të thjeshtë. Ai nuk e do kompleksitetin, as ndryshueshmërinë që kërkon ndjeshmëri institucionale, e aq më pak gjithëpërfshirjen që e kufizon vullnetin që pushteti të ushtrohet pa ndjeshmëri të mjaftueshme ndaj dallimeve. Në këtë kontekst, ndryshueshmëria reduktohet në problem administrativ, ndërsa barazia gjuhësore shndërrohet në një detyrim të pakëndshëm. Prej këtu, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese bëhet pasqyrë e një këndvështrimi politik për shtetin, në të cilin disa qytetarë duhet vazhdimisht të luftojnë që të pranohen.
Në hapësirën politike të atdheut ekziston përplasja e dy ideve për vendosjen funksionale të shtetit. E para është demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ku shteti është i fortë atëherë kur secili njeri ndihet i parë, i pranuar dhe i barabartë që në kontaktin e parë me institucionet. E dyta është autoritare, ku shteti së pari urdhëron, sanksionon, disiplinon, e vetëm më pas, nëse duhet, shpjegon. Në të parën, e drejta është urë mes qytetarit dhe institucionit; në të dytën, e drejta, ose më saktë interpretimi i saj, është mjet i epërsisë.
Dhe për këtë arsye kjo nuk është kontest për një SMS-mesazh, por kontest për karakterin e Maqedonisë. Për atë nëse do të jetë bashkësi e qytetarëve të barabartë, në të cilën institucionet do të jenë ruajtëse të dinjitetit, apo dorë e zgjatur e një narrative politike autoritare.


