Trajneri i Liverpool FC, Arne Slot, ka pranuar se përballja me Galatasaray do të jetë shumë e vështirë në 1/8 e finales së UEFA Champions League.
“Reds” do të përballen me skuadrën turke muajin e ardhshëm, pas shortit të hedhur të premten, ndërsa Slot theksoi se kundërshtari është pikërisht ai që e prisnin.
“Duke parë kundërshtarët e mundshëm, morëm saktësisht atë që prisnim: një 1/8 finale të fortë ndaj një skuadre me të cilën jemi përballur edhe më parë”, u shpreh tekniku holandez.
Ai kujtoi gjithashtu ndeshjen e fundit në Stamboll, duke theksuar se ekipi i tij duhet të përmirësohet ndjeshëm në udhëtim.
“Do të duhet të bëjmë shumë më mirë si mysafirë sesa herën e kaluar në Stamboll”, tha Slot.
Në fund, ai vlerësoi rrugëtimin e Galatasarayt deri në këtë fazë të garës.
“Ata arritën një rezultat shumë pozitiv për të mbërritur deri këtu. Kjo është arsyeja pse kemi punuar kaq fort në kampionat. Donim të ishim këtu dhe tani duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, përfundoi trajneri i Liverpoolit.


